Efektivët e policisë qëlluan mbi automjetin? Policia e Fierit sqaron ngjarjen
Drejtoria e Policisë Vendore Fier reagon në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale dhe në media, ku pretendohet se punonjësit e Policisë së Fierit kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti, ndërsa ngjarja në fjalë është fshehur apo nuk është referuar në prokurori.
Sipas Policisë Fieri, në asnjë moment nuk është qëlluar nga punonjësit e policisë, as në drejtim të automjetit e as në ajër.
Sqarimi i Policisë Fier:
"Në datë 15.12.2020 ka filluar procedimi penal për shtetasit I. Gj., 19 vjeç dhe K. B., 22 vjeç, banues në Fier, pasi në datën 15.12.2020, rreth orës 00:30, duke lëvizur me automjetin tip "Benz", në vendin e quajtur "Zogu i Zi", nuk i janë bindur urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit për të ndaluar, por janë ndalur gjatë ndjekjes dhe janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier.
Në lidhje me ngjarjen menjëherë është njoftuar oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, i cili kreu veprimet përkatëse dhe referoi në Prokurori materialet për veprën penale "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik", e kryer në bashkëpunim.
Pavarësisht se veprimet janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, ngjarja është pasqyruar në web-in e Policisë së Shtetit.
Sqarojmë se në asnjë moment, nga punonjësit e Policisë nuk është përdoruar arma e zjarrit as në ajër dhe as në drejtim të automjetit.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve nga ana e Policisë Rrugore të DVP Fier, për drejtuesin e mjetit, shtetasin I. Gj., është marë masë administrative pezullimi i lejes së drejtimit dhe lejes së qarkullimit për shkelje të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020".