Asllan Bajrami: Nuk ka shpresë që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën për genocidin serb
Në fjalën e saj dje nga foltorja e Kuvendit, Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani tha se i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që t'i bashkohet Kuvendit të Kosovës në miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb.
Në lidhje me këtë gazetari i njohur në Kosovë Asllan Bajrami në një intervistë për RTV Ora u shpreh se teksa dëgjonte fjalën e Gramoz Rucit, nuk pa shpresë për miratimin e rezolutës. Ai tha se ngritja e Komisionit për hetimin e Dick Marty nuk ka të bëjë me atë që kërkohet.
Asllan Bajrami për RTV Ora: Ajo çfarë dëgjuam ne nga kryeparlamentari Ruci në fjalët e konsideratës në mbarim të fjalës së zonjës Osmani, nuk linin të shpresojmë që një diçka e tillë me këtë përbërje që ka Kuvendi i Shqipërisë mund të ndodhë. Pavarësisht se ai gjeti një justifikim që është ngritur një Komision, por ai komision është ngritur për tjetër gjë që nuk ka të bëjë fare me këtë gjë por ka të bëjë me një raport të Dick Marty i cili ka dalë se është 'null' se nuk është gjetur asgjë për pretendimet e tij se ka pasur një shtëpi të verdhë përkatësisht një klinikë në zonën e Matit ku UÇK në bashkëpunim me shtetin shqiptar ka bërë transplantim organesh.
Asllani e quajti ngritjen e komisionit hetimor si një veprim 'sa për të larë sytë e faqet'
Asllan Bajrami për RTV Ora: Unë mendoj se në vend të këtij komisioni, që në momentin që nuk është verifikuar kjo gjë shteti shqiptar është dashur të bëjë një akuzë, të bëjë një kallëzim penal ndërkombëtar ndaj Dick Marty dhe këtë nuk e ka bërë. Kjo është siç themi na sa për të larë sytë e faqet, sa i përket këtij komisioni parlamentar në lidhje me paralajmërimet që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë në drejtim të Dick Marty. Ajo nuk do të ketë ndonjë vlerë në kuptimin juridik të fjalës.
Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online E.P