"Trupa e KPA dhe Komisioneri Publik u emëruan nga Kuvendi në shkelje të ligjit", Besnik Muçi padi në gjykatë

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, kërkon zhvlerësimin e vendimit të Kuvendit për emërimin në bllok të kandidatëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në kërkesë padinë e depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë,  Muçi thotë se trupa që vendosi për shkarkimin e tij nga detyra dhe Komisioneri Publik janë emëruar në shkelje.

Anëtari më jetëshkurtër i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, ka ngritur një padi në Gjykatën Administrative ndaj Kuvendit për procesin e Vetingut.

Në padinë e tij ai kërkon pavlefshmërinë absolute të vendimit të miratimit në bllok të anëtarëve të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, e për rrjedhojë pavlefshmërinë e të gjithë procesit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në shkallën e parë të vettingut, e konfirmoi në detyrë Besnik Muçin. E më pas ai u dekretua nga presidenti Ilir Meta, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, duke bërë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rrëzonte vendimin e parë duke e shkarkuar përfundimisht atë, pasi nuk justifikon pasurinë.

Pas shkarkimit nga detyra, Besnik Muçi deklaroi se nuk do ta njihte vendimin. Ndërkaq sot me anë të kësaj padie ai ka hedhur hapin e radhës.

“Trupa e KPA dhe Komisioneri Publik u emëruan nga Kuvendi në shkelje të ligjit”, Besnik Muçi padi në gjykat... by Ora News Lajme on Scribd