BOOM: Vendimi për prishjen e murit të paligjshëm nuk ekzekutohet prej 12 vitesh
Teuta Kapiti, ankohet pranë emisionit Boom, pasi, me gjithë shkresat e shumta drejtuar institucioneve, nuk ka marrë zgjidhje problemin e saj, në biznesin që kanë familjarisht, hotelit privat në plazhin e Durrësit, Hotel "Venera".
Ajo thotë se një mur i paligjshëm është bërë nga hoteli ngjitur, hotel "Loshi".
Aty janë bërë mure pa leje. Është vendosur për tu prishur, por nuk është bërë, ndërkohë tani na thonë që pasi të mbarojnë me materialet e ngelura prej prishjes së pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Kjo histori ka që në 2008. Na kanë thënë do vijmë ti prishim ndërkohë kjo nuk ka ndodh.
Qytetarja kërkon të prishet muri i paligjshëm dhe të bëhet rruga siç ka qenë para shumë vitesh.
Kjo ka ndikuar në biznes pasi klientët nuk shkojnë nga biznesi në plazh.
Në një përgjigje të kthyer nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Durrës më datën 16.05.2008 drejtuar Prefekturës Durrës , sqarohet se është bërë verifikimi i problemit dhe ka rezultuar se Hotel "Loshi" ka leje ndërtimi për objekt, por jo për murin që pengon rrugën kaluese ndërmjet hotel "Loshi" dhe hotel "Drenica".
Për këtë Inspektorati ndërtimor dhe Urbanistik, Bashkia Durrës, ka nxjerrë në një vendim, nr. 66 të datës 28.03.2008 për prishjen e murit perimetral që pengon rrugën kaluese.
Dhe se vendimi do të ekzekutohet në momentin e parë të mundshëm. Edhe pse kjo ka ndodhur në vitin 2008, ende nuk është bërë asgjë për ekzekutimin e vendimit.
Në datën 02.7.2019 qytetarit i komunikohet se ndaj posedueses së hotel “Loshi” është nisur procedura dhe se institucioni ishte në vazhdimësi.
Nga ana e IMT Durrës më 1.07.2020 është mbajtur dhe një procesverbal për konstatimin e kundravajtjes “ku përshkruhet kundravajtja shtesë anësore në objektin 4 katësh me mure tullë pa leje ndërtimi”.
Gjithashtu ndaj subjektit është vendosur dhe gjobë. Në datën 6.7.2020 IMT Durrës i ka dërguar “vendim për prishjen e objektit të kundraligjshëm Z. Flora Xhemal Vrioni , vendimin nr 129 të datës 3.07,2020 , ku i bëhej e ditur se zonja duhej ta prishte vetë në mënyrë vullnetare brenda datës 10.7.2020 .
Në të kundërt do të ndërhynte IMT Durrës për ekzekutimin e këtij vendimi konform ligjit Nr 9780 “Për inspektimin e dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme".
Boom bëri një kërkesë për informacion se përse nuk është ekzekutuar vendimi për prishje të murit të paligjshëm nga ana e IMT Durrës.
Në përgjigjen e kthyer IMT Durrës sqaron se ky mur i paligjshëm ishte planifikuar për prishje në mënyrë vullnetare më datë 10.7.2020 .
IMT Durrës ka bërë një riplanifikim për prishjet e objekteve të kundraligjshme, pezulluar për shkak të fatkeqësisë natyrore të tërmetit te 26 nëntorit si dhe periudha e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Me përfundimin e kësaj periudhe të jashtëzakonshme do të bëhet planifikimi për prishjen e objekteve të kundraligjshme përfshirë edhe objektin që BOOM interesohet dhe do të njoftohet për datën e ndërhyrjes.