Siguria rrugore me koncesion, Sulçe: Shteti po i shet përgjegjësinë privatit

Shqipëria mbetet vendi me fatalitetet më të larta nga aksidentet rrugore në Europën juglindore sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara.

Studimi evidenton pikat e zeza në rrugët e vendit, problemin me vendet e parkimit që janë kthyer në pengesë për transporti publik, duke e rënduar më shumë qarkullimin rrugor.

Eksperti i sigurisë rrugore Artur Sulçe thotë se kjo situatë e rënduar vjen për shkak të mungesës së ndërhyrjeve në infrastrukturë.

“Mirëmbajtja e rrugëve,ato që kemi parë deri më sot, është vënë re që nuk mirëmbahet asgjë, vetëm pastrime të thjeshta.”

Kombet e bashkuara rekomandojnë ndalimin e pijes gjatë drejtimit të mjetit, përfshirë dhe konsumimin e duhanit, por ekspertët thonë se për këtë duhet një fushatë e fortë ndërgjegjësimi.

“Qoftë për alkoolin dhe duhanin mund të operojmë në të njëjtën mënyrë. Për drejtuesit e mjeteve të transportit public mund të zhvillohet kontrolli i tyre ose të ndalohet që gjatë drejtimit të pihet duhan.”

Qeveria Shqiptare parashikon që vitin e ardhshëm të japë me koncesion sigurinë rrugore me formulën Partneritet Publik Privat, me një detyrim prej 5 miliardë lekësh.

Për ekspertin Sulçe, dhënia e sigurisë rrugore me koncesion për menaxhimin e pikave të zeza tregon se Ministria e Brendshme dhe ajo e Infrastrukturës janë dorëzuar dhe duan t`ia delegojnë përgjegjësitë privatit.

"Ata duan të shmangin përgjegjësinë e vet, po ja shesin përgjegjësinë një enti tjetër, një subjekti privat. Nga shteti po kalon shitjha e përgjegjësisë te një subjekt privat që do bëjë mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore."

Në 11 muajt e vitit 2020 në Shqipëri janë regjistruar 1163 aksidente rrugore me 166 të vdekur.