"Për pavarësinë dhamë më të shtrenjtit, mbi 1000 fëmijë…",Osmani: Askush s'mund ti kërkojë Kosovës të japë më shumë

Në një fjalim brilant në Kuvendin e Shqipërisë, presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se Kosova pavarësinë e ka fituar me gjak dhe ka dhënë më të shtrenjtit e saj për të.

Për lirinë dhe shtetin e pavarur, tha Osmani, prehen sot nën dhe mbi 1000 fëmijë.

E për këtë sipas saj, sot askush nuk mund ti kërkojë Kosovës të japë më.

Ky kapitull i historisë, tha Osmani, na mëson se dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë krah njëra-tjetrës dhe se Serbia nuk ka ndryshuar.

"Ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet" tha ajo.

Pjesë nga fjalimi i Osmanit në Kuvend

Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh. Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim.

E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull po ashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet.

Ky kapitull po ashtu na mëson, se rinia briliante shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, e çdo kund  tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh.

Detyra jonë është të punojmë, që ata vendin e tyre ta shohin si vend që nuk e meriton braktisjen, por si vend që e meriton gjithë kontributin e dashurinë e tyre. Prandaj të punojmë bashkë të gjithë, që si dy shtete sovrane, me dy flamuj por me nje shpirt që nuk ka mundur askush t’a mposhtë ndonjëherë, të dëshmojmë par botës mbarë, se ne, ilirët e lashtë e evropianët më të rinj, populli më paqedashës, me pro-evropian e më pro-amerikan në botë, mund dhe do t’ia dalë. T’i kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyer shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimeve evropiane, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi në mes të dy vendeve tona është kundrejt frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë! Eruditi jonë i madh, Konica e përmbledhë më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën “Abania”.

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kishte thënë Konica.

Prandaj, ju ftoj që të punojmë që edhe flamuri i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombet e Bashkuara e në NATO, krahas atij të Shqipërisë, e të ecim me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.