88 vjetori i lindjes së Tinka Kurtit, teatri "Migjeni" në festë
88 vite më parë, në 17 dhjetorin e 1932 lindi në Sarajevë të Bosnjës, ikona e artit shqiptar, Nderi i Kombit Tinka Kurti.
"Në teatrin Migjeni kjo është një festë, pasi në 71 vite të karrierës së saj, një pjesë të madhe të tyre, Tinka e ka lidhur me Shkodrën."
Pandemia bëri që festa të mungojë sivjet për të, por teatri “Migjeni”, shtëpia ku u lind dhe rrit artistikisht, nuk e harron për asnjë çast “Të përjetshmen Tinka Kurti”.
Drejtorja Rita Gjeka pranë ullirit të mbjellë për nder të saj, tregon batutat dhe telefonatat e vazhdueshme me Tinkën, e fundit mëngjesin e kësaj të enjte ku i uroi ditën e lindjes.
"Ka 71 vjet që Tinka jep kontributin e saj në teatrin Migjeni dhe nuk është pak. Është më e lashtë se vetë teatri, pra është diçka më shumë se vetë teatri."
Shkodra është dashuria e Tinka Kurtit dhe ajo pritet të jetë atje për Krishtlindje.
"Është akoma sot moderne në krijimtari, në mënyrën e komunikimit."
Ndërsa ngjit shkallët e këtij tempulli të artit e kulturës, në arkivin e “Migjenit” janë të shumta kujtimet e 71 viteve jetë artistike të Tinka Kurtit.
Ky fond i pasur arkivor është dëshmi jo vetëm e një pune që ka rrugëtuar në 7 dekada, por edhe një pasuri që i mbetet brezit të ri.
"Tinka ka specifikën, ka fatin që Tinka sot është e vetmja dëshmitare e gjallë."
Prej vitit 1949 e deri sa doli në pension Tinka Kurti ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role.
Emri i saj është gdhendur me shkronja të artë në kinematografinë shqiptare.