"Askush në trojet shqiptare nuk duhet të preokupohet si t'ia shpëtojë fytyrën Serbisë" Fjalimi i Vjosa Osmanit në Kuvend

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri, Presidentja e Kosovës në detyrë Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, iu drejtua sot me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga foltorja e Parlamentit të Shqipërisë, Osmani tha se me Serbinë do të dialogojnë vetëm për njohje të ndërsjelltë, ndërsa i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të dënojë genocidin serb.

Fjalimi i plote

"Jam vërtetë tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e këtij kuvendi nga Republika e Shqipërise, tu drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur dhe nëpërmjet tyre bashkëkombasve të mir gjithëandej botës.

Është kënaqësie e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës, të mund të bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, që ka dhënë shumë për kulturën dhe qytetërimin perëndimor.

Është nder i madh që t’ju drejtohem dhe t’ju flas ashtu siç i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq shumë histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë po aq shumë dashuri.
Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve dhe bashkëmotrave tona, por është ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ëndërronim të jetonim dhe që fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e luftës së ftohtë. Megjithëatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri.

Ne iu jemi mirënjohës përjetë!

Të dashur qytetarë shqiptare,

Sot kur unë gjindem para jush, hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore për shkak të rrënjëve etnike po thellohen dhe komunikimi ynë po na afron edhe më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit të 20 dhe tjera fëmijë i fillimshekullit 21, të dyja rrjedhojë e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, janë shndërruar në faktorë stabiliteti dhe paqeje. Ato po ecin krahas njëra-tjertrës, duke marrë dhe dhënë njëra-tjetrës në procesin e integrimit europian, duke njohur dhe respektuar njëra-tjetrën. Por sot kur unë jam para jush, duhet ta kujtojmë të shkuarën tonë të përbashkët, mundin e sakrificën e brezave të tërë për të ardhur në këtë ditë. Duhet të kujtojmë se këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë , gjaku i derdhur i mbi 13 mijë civilëve të vrarë, shumica prej tyre gra, pleq e fëmijë. Prej të cilëve 1600 ende të pagjetur.

Shumë prej tyre fëmijë apo foshnje disa javëshe e disa muajshe, emrat e të cilëve qëndrojnë në themelet e pavarësisë tonë.  Prandaj sot këtu si kurdoherë do të flas me këtë zë dhe të kërkoj që historia e dhimbashme e Kosovës, siç është historia jonë kombëtare, të mbahet në mend dhe të rikujtohet. Sepse duke e rikujtuar atë, ne ia njohim vlerën dhe bëhemi më të drejtë në vendimet tona.

Të dashura deputete dhe deputetë,

Pavarësia e Kosovës vërtetë e ka vendosur fatin ronë, por edhe fatin dhe lirinë e popujve në të gjithë Ballakanin. Ne kuptojmë se çdo të thotë të rritesh në një regjim shtypës dhe të dhunshëm, në të cilin rrënjët etnike janë përdorur si argument i mjaftueshëm për të qenë të shtypur dhe të vrarë. Ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për këtë. Historinë ne e kemi në krah. Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë dhe do tu jemi përjetësisht mirënjohës. Ata u rreshtuan jo vetëm krah popullit të Kosovës me synimin për liri dhe pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit tonë që nga dita e parë e çlirimin.

Si Kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë dhe si Presidente në detyrë e republikës, dua të thërras të rinjtë e vendeve tona, sidomos vajzat dhe gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen. Të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë të gjitha ato do të jenë aty ku duan dhe aty ku meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës dhe të biznesit, sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova dhe Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë  kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës tonë që janë femra.

Të rinjtë tanë në Kosovë dhe në Shqipëri janë kapitali ynë, ata janë ambasadorët tanë në botë që po na krenojnë çdo ditë dhe më shumë. Ndaj është obligim i secilit prej nesh, që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të atillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë dhe një të ardhme shumë më premtuese. Ftoj përfaqësuesit politikë, ata që sot janë në këtë dhomë, ashtu edhe ata që janë jashtë saj që ta kultivojnë këtë besim qyetetar. Si të zgjedhur të popullit duhet të kujdesen që vullneti i qytetarëve të realizohet. Që Shqipëria këtu dhe Kosova aty ku udhëheqim ne, të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet në pikëpamjet pol;itike, kulturore apo të tjera të jenë shtysë për kohezion nacional.

Që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta. Që qëndrimet e përbashkëta edhe në këtë Kuvend, ta nxisin kultivimin e frymës së demokracisë. Është thelbësore që institucionet tona dhe të gjithë ne si politikëbërës të studiojmë dhe vlerësojmë mesazhin që marrim ng qytetarët dhe të jemi të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë.

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur dhe ne  jemi të vendosur të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjelltë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, njohur dhe pranuar paprekshëmrinë e territorit tonë, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik.

Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj dhe koncesione të tjera për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojnë falje, të dënohet dhe jo të shpërblehet. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu dhe në çdo vend tjetër të botës.

Ndaj i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që ti bashkohet Kuvendit të Kosovës në miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur bashkojmë zërat tonë , atëherë do të dëgjohemi kudo.

Askush në trojet shqiptare, nuk duhet ta ketë preokupim se si i shpërtohet fytyra e vërtetë e Serbisë, sepse fytyra e saj e vërtetë është dëshmuar me politikat gjenocidale që kanë ndjekur ndaj nesh. Në mënyrë që zëri ynë të kumbojë çdokund, ne duhet të bashkojmë përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë, që çdo përfaqësues shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoni dhe tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shparkoi Serbia.

Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tona që u dhunuan nga serbët, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku t derdhin lotët e ku të vendosin lulet. Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të japë më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1000 fëmijë, shpirtra të njomë, që dot mund të ishin këtu ku jeni ju apo edhe në Kuvendin e Kosovës, duke marrë vendime për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia të mos ua këpuste atyre jetën që në fillim.

Ndaj kemi detyrë kombëtare, por mbi të gjitha detyrë njerëzore dhe morale që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri për gjithë rajonin tonë, fillimisht ta lexojmë, ta kuptojmë dhe ta mësojmë mirë kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra-tjetrën. Ky kapitull po ashtu na ka mësuar se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet ti bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën antishqiptare dhe përpjekjet për të fshehur krimet. Ti bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë, sepse ekziston vetëm e vetëm një e vërtetë që ka ndodhur para syve të të gjithë notë, edhe ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë dhe Kosova mbrojti prgun e shtëpisë së saj.

Ky kapitull zonja dhe zotërinj po ashtu na mëson se rinia brilante shqiptare, ajo në Kosovë, Shqipëri dhe çdokund tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh. Ndaj detyra jonë është të punojmë që ata vendin e tyre ta shikojnë si vend që nuk e mertion të braktiset, por si vend që e meriton të gjithë kontributin dhe dashurinë e tyre. Të punojmë bashkë të gjithë, si dy shtete sovrane, me dy flamuj, por me një shpirt që kurrë nuk ka mundur askush ta mposhtë.

Si populli më paqedashës, më proevropian dhe më proamerikan, ti tregojmë botës mbarë se ne mund dhe do t’ia dalim ti kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyrë shtete tona para. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit europian, vendosja e çdolloj barrierë komunikimi në mes të vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshpirtërore dhe ndërshqiptare. Na lini të vijmë nga Kosova ashtu siç deshën të parët tanë, ashtu siç do të duam ne dhe ashtu siç do të duan edhe fëmijët tanë. Eruditi unë Faik Konica, e përmbledh më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën Albania: Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë ta duan Shqipërinë, jo ti bëjnë qefin këtij apo atij shqiptari.

Ndaj iu ftoj që të punojmë që edhe flamuri i republikës se Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombet e Bashkuara, edhe në NATO krahas atij të Shqipërisë, të ecim me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në BE.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Bashkëkombas të dashur,

Përgjatë historisë tonë, shumë familje janë ndarë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin dhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës time kishte përjetuar tortura të tmerrshme me burgjet e regjimit serb dhe në fund kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, vllai tjetër, Sulejman Vuçitërrna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit është histori e qindra e mijërave familjeve shqiptare. Por le të jetë guximi i tyre, e i secilit shqiptar për t’u thënë ju, regjimeve të dhunshme, regjimeve shtypëse, udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar dhe drejt një Kosove e një Shqipërie, ku rinia jonë të krenohet me vendimet që i marrim ne, si përfaqësues të tyre të zgjedhur.

Në fund më lejoni t’ju falenderoj sërish për mikpritjen në shtëpinë tonë të përbashkët dhe të ritheksoj në emër të të gjithë qytetarëve të republikës tonë, Republikës së Kosovës gjithë dashurinë që ndjejmë për Shqipërinë, për motrat dhe vëllezërit shqiptar, gadishmërinë tonë që me vullnet dhe punë të madhe ti çojmë përpara të dy shtetet tona.

https://youtu.be/H_mAg6uwCtY