"Situata e pandemisë e qëndrueshme" vlerëson komiteti teknik i ekspertëve

Megjithëse në një javë numri i infektimeve është rreth 5000, Komiteti i Ekspertëve e konsideron gjendjen të qëndrueshme. Në konferencën e përbashkët mes ekspertëve vendas dhe atyre turq, u vlerësua shkëmbimi i eksperiencave mes dy vendeve si dhe një vlerësim pozitiv për sistemin shëndetësor shqiptar.

Këtë javë mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve u zhvillua në prani edhe të ekspertëve turq.

Megjithëse në javën e fundit numri i të infektuarve me Covid në vendin tonë ishte 5267 dhe  98 persona humbën jetën për shkak të këtij virusi, Komiteti Teknik i Ekspertëve e vlerëson situatën pandemike të qëndrueshme dhe me një ulje të numrit të të infektuarve dhe pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim.

"Situata epidemiologjike natyrisht që ka ndjekur tendencën globale, atë të rritjes së numrit të rasteve, por ka qenë një rritje rastesh në mënyrë të qëndrueshme dhe sidomos kohët e fundit ashtu siç është reflektuar dhe në treguesit që kemi raportuar çdo ditë, ka një ulje të numrit të shtruarve në spital dhe një ulje të numrit të pozitivitetit" tha Rakacolli.

Ekspertët shqiptarë falenderuan kolegët e tyre në Turqi  për shkëmbimin e eksperiencave, ndërsa përfaqësues nga delegacioni turk  vlerësuan sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe spitalet tona.

"Diskutuam dhe eksperiencat tona të dixhitalizimit të sistemit tonë dhe ndamë me kolegët turq një eksperiencë që ata kanë lidhur me gjurmimin  e kontakteve përmes aplikacioneve në telefon" tha Silva Bino.

"Komuniteti Shkencor i Turqisë ka një meritë të veçantë për faktin se Turqia, falë ekspertizës dhe parapërgatitjes që ekspertët e vendit mik bënë, ishte një prej vendeve më të përgatitura në momentin e shfaqjes së këtij armiku të padukshëm dhe në fazën e pare, kur e dimë shumë mirë, nuk ishin të pakta vendet, edhe ato shumë të mëdha, edhe ato me shumë burime financiare e njerëzore që u gjetën në vështirësi të jashtëzakonshme" u shpreh Rama. 

Në përfundim të konferencës kryeminsitri Rama falenderoi Ambasadorin turk për shërbimin shëndetësor që ju dha efektivit të policisë i cili u plagos në protestën e të rinjve.

Të enjten Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 15 viktima dhe 787 raste te reja me koronavirus.

Ndërkohë në spitale ndodhen nën kujdesin e mjekëve 393 pacientë.

https://youtu.be/aTK63iPsbMk