Banesa e dëmtuar nga tërmeti shembet nga shpërthimi i bombolës, zë poshtë të zotin

Shpërthimi i një bombole gazi rrezikoi të prodhojë një tragjedi në Durrës. Një banesë një katëshe u shemb plotësisht, ndërsa zuri nën rrënoja pronarin 75 vjeçar që jetonte aty i vetëm.

Ngjarja u shënua në orët e para të mëngjesit në lagjen 13 në qytetin Bregdetar.

Fetah Baroti mbeti i bllokuar është arritur të nxirret vetëm pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. Ai është dërguar me plagë të rënda në spital, ku po merr trajtim mjekësor, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshimet janë se bombola e gazit ka rrjedhur për një kohë të gjatë duke mbushur me gaz banesën dhe më pas është krijuar shkëndijë duke shkaktuar shpërthimin.

Struktura e banesës sipas ekspertëve ka qenë e dobësuar për shkak të lëkundjeve të tërmetit, ndaj edhe shpërthimi i gazit e rrëzoi plotësisht.