Mediu: Jemi në mungesën e shtetit, Rama shkatërroi konceptin e tij
Situata e vështirë që po përjeton vendi dhe mungesa e shtetit sipas Mediut ka vetem një fajtor, kryeministrin Edi Rama.
Në takimin e zhvilluar me strukturat e Partisë Republikane në Shkozë foli edhe për trazirat e fundit pas vdekjes së 25 vjeçarit duke thënë se ndodhemi në një kërcënim për shkak të mungesës së rendit dhe përdorimit politik të policisë.
“Kjo është situata që ka sot Shqipëria. Jemi në mungesën e shtetit, sepse Rama shkatërroi konceptin e shtetit. Jemi në mungesën e pushtetit gjyqësor dhe të Parlamentit. Jemi në një varfëri dhe papunësi të madhe, në një pasiguri juridike. Jemi po ashtu edhe në një kërcënim të vazhdueshëm të jetës për shkak të pasigurisë në rend, por edhe problemeve që vijnë për shkak të trafiqeve të ndryshme, sidomos të trafikut të drogës, i cili tashmë është bërë dominant jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”,
Mediu foli gjithashtu edhe për largimin masiv të shqiptarëve për shkak të situatës sociale, ekonomike dhe politike në vend.
“Në këto vite janë mbi gjysëm milion shqiptarë, të rinj dhe të reja, profesionistë që i janë larguar Shqipërisë. Kjo do të thotë që ne kemi një problem shumë të madh social në vend. Kemi problem shumë të madh politik dhe një problem shumë të madh ekonomik, sepse është larguar pjesa më aktive e shoqërisë sonë; profesionistë, të rinj dhe të reja.
Duke rikujtuar edhe njëherë arritjet me rëndësi të madhe historike gjatë qeverisjes së të djathtëve, siç është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Mediu u shpreh i bindur se edhe brenda 4 viteve të ardhshme, Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE-së.