Transportonin emigrantë të paligjshëm, prangosen dy persona në Korçë
Dy persona kanë rënë në pranga si rezultat i operacionit “Perimetri”, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Sipas informacioneve, policia ka arrestuar Gentjan Dikellari, 36 vjeç dhe Altedi Jolldashi, 23 vjeç banues në Pogradec.
Arrestimi i tyre është bërë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, ku në mjetin tip “Benz” i drejtuar nga 36 vjeçari, u pikasën 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve u ishte premtuar transporti drejt Tiranës dhe më pas drejt BE në këmbim të një shume parash.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor "Perimetri", kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. D., 36 vjeç dhe A. J., 23 vjeç, banues në Pogradec.
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, pranë fshatit Hudënisht, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fuoristradë tip "Benz", të cilin e drejtonte shtetasi G. D., shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, njofton policia.
Në momentin e ndalimit, 23 vjeçari është përpjekur ti largohet policisë, por pa rezultat.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".