Blindohet Gjykata e Vlorës, mbërrijnë 27 të arrestuarit e operacionit të madh policor për kultivimin e lëndëve narkotike

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë është blinduar nga forca të shumta policie, pas mbërritjes së 27 të arrestuarve nga operacioni antidrogë i dy ditëve më parë.

Të arrestuarit janë sjellë në ambientet e gjykatës me furgona policie, ndërkohë që seanca për njohjen e masës do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Gjyqtarja e çështjes mësohet se është Elona Mihali.

Policia ka bërë të mundur bllokimin e segmentit rrugor pranë gjykatës, duke lejuar vetëm familjarët dhe gazetarët.

Dy ditë më parë policia zhvilloi një aksion të gjerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike në fshatrat e lumit të Vlorës dhe përgjatë bregdetit. Nga ky operacion u arrestuar 27 persona, 10 të tjerë janë lënë në masën “Arrest shtëpie” dhe 4 i kanë shpëtuar prangave.

Policia gjithashtu sekuestroi edhe 120.9 kg kanabis sativa të gatshme për tu shitur dhe 12.144 rrënjë bimë.

Mes të arrestuarve ka policë, kryepleq fshatrash si dhe drejtues e efektivë të policisë.

LEXO EDHE: FNSH aksion në fshatrat e Vlorës: Sekuestrohet mbi 120 kg drogë, ka 41 të arrestuar