Rikthehen vrasjet në Rrëshen, ekzekutohet Anton Keli, FNSH në ndjekje të autorit
Tjetër vrasje në Rrëshen. 51-vjeçari Anton Keli, nipi i Tonin dhe Preng Gjinit, është ekzekutuar shumë pranë banesës së tij. Dyshimet e para janë për hakmarrje për shkak dhe të përplasjeve të mëparshme në këtë qytet.
Një tjetër viktimë i shtohet asaj që konsiderohet saga e vrasjeve të Rrëshenit. Anton Keli 51 vjeç, është ekzekutuar, teksa po afrohej pranë banesës së tij në qytetin e Rreshenit.
Sipas të dhënave, autorët e kanë ndjekur pasi ka zbritur nga makina dhe pranë një supermarketi e kanë qëlluar me armë.
Keli fillimisht mbeti i plagosur dhe ka qenë shitësja e supermarketit ajo që ka lajmëruar policinë dhe ambulancën.
Por fatkeqësisht Anton Keli nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve.
Mësohet se viktima jetonte vetëm me nënën e tij, pasi familjarët e tjerë ndodhen në Gjermani.
51-vjeçari është nipi i Tonin dhe Preng Gjinit. I pari i ekzekutuar në 12 gusht të vitit 2019 dhe i dyti ishte në qendër të një atentati me bombë në 15 shtator në urën e stacionit të fundit të Tiranës së Re, ku mbeti i plagosur rëndë.
Tonin Gjini i njohur dhe me emrin Armando ishte arrestuar edhe në maj të vitit 2018 si pjesëtar i grupit të Met Kananit i akuzuar për trafik droge. Në momentin e ekzekutimit, ai ishte në automjet me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Dyshimet e para për vrasjen e Anton Kelit janë për një hakmarrje. Kjo pistë është konsideruar kryesorja edhe për një zinxhir përplasjesh me armë, ku shpesh janë dyshuar të përfshirë vëllezërit Gjini.
Menjëherë pas ngjarjes policia ka marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje si dhe ka ngritur postblloqe në pika kryesore në kërkim të autorëve.
LEXO EDHE: U qëllua me breshëri plumbash, ky është Anton Keli që u vra në Rrëshen, nip i vëllezërve Gjini
Njoftimi i policisë
Rreth orës 17:40, në qytet Rrëshen, Mirditë, në rrugë është plagosur me armë zjarri shtetasi A.K., 51 vjeç, banues në fshatin Malaj, Mirditë, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë dhe FNSH-së po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.