Daçiç: Kosova, agjenda kryesore për Serbinë. Të ndihmojmë Gjykatën Speciale

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç është shprehur gjatë fjalës së tij në parlament, se në të ardhmen, Kosova do të jetë agjenda kryesore për Beogradin.

Sipas tij, Gjykata Speciale, që po gjykon ish krerët e UÇK, duhet të ndihmohet pasi nuk është si ajo e vitit 2000 kur gjykoheshin krimet në ish-Jugosllavi.

“Shteti me siguri do të ndihmojë qasjen tonë të organizuar ndaj kësaj gjykate të re, sepse kjo nuk është e njëjta gjykatë që ishte në Hagë, kjo është gjykatë për krimet e UÇK-së dhe situata është pak më ndryshe nga sa ishte herën e fundit”, ka thënë Daçiç.

Daçiç deklaroi se mbetet detyrimi për të përgatitur dokumente dhe për t’i mbrojtur dëshmitarët dhe gjithçka tjetër në mënyrë që, siç tha të ndihmojmë në sjelljen e drejtësisë për viktimat serbe.

Ai tha se Komisioni i ashtuquajtur i Asamblesë për Kosovën duhet t’ua paraqesë një raport mbi situatën në Kosovë deputetëve çdo 1 ose 2 muaj.