Londra dhe Brukseli pesimiste për negociatat
Negociatat vazhdojnë këtë fundjavë, por mundësitë për një marrëveshje tregtare post-Brexit po zbehen, me Londrën dhe Brukselin që shfaqën të premten pesimizmin e tyre në lidhje me mundësinë e kapërcimit të ndasive mes tyre.
Nëse nuk ka një reagim deri të dielën, afati i vendosur nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, shkëmbimet në të dy anët e kanalit të La Manchit rrezikojnë të bëhen sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, apo përmes tarifave dhe kuotave.
Ndërkaq Marina Mbretërore Britanike është gati për të patrulluar hapësirat e peshkimit në rast të "mos arritjes së marrëveshjes" për Brexit. Çështjet kyçe për të cilat palët kanë mosmarrëveshje janë drejtat e peshkimit dhe rregullat e konkurrencës për biznesin.
Kryeministri britanik, Boris Johnson e gjykoi si shumë të mundur dështimin e negociatave, që po vazhdojnë.
Pavarësisht parashikimeve të errëta të ekonomistëve, kryeministri konservator konfirmoi se kjo zgjidhje do të ishte e shkëlqyer për Britaninë e Madhe dhe vendi do të bënte ekzaktësisht atë që donte që nga 1 janari.
“Ne vazhdojmë të shpresojmë”, tha ai duke pritur të shohë një propozim të madh apo një ndryshim të madh nga Bashkimi Europian.
“I njëjti pesimizëm erdhi edhe nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila deklaroi para drejtuesve të 27 vendeve, në samit në Bruksel, se “shpresat për një marrëveshje ishin të ulëta”. Berlini, që është në fund të presidencës së radhës të BE-së dhe Dublini kanë qenë më të kujdesshëm duke theksuar se një marrëveshje mbetet e mundur.