Deputetët "djegin" mandatet në Gjeorgji, zgjedhjet u manipuluan

Opozita gjeorgjiane ka bojkotuar seancën e konstituimit të parlamentit, dhe ka hequr pjesërisht dorë nga mandatet e fituara në zgjedhjet e fundit.

Më 31 tetor, partia për "Ëndrrën Gjeorgjiane" e Giorgi Gakarias mori 90 nga 150 deputetët e Kuvendit, por opozita në tërësi e ka akuzuar qeverinë se i manipuloi rezultatet.

Me përfundimin e procesit elektoral, vendi është përfshirë nga protesta masive me kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve.

Në seancën parlamentare të së premtes, morën pjesë vetëm deputetët e partive qeveritare.

"Refuzojmë të legalizojmë zgjedhjet e vjedhura nga Bidzina Ivanishvili. Ky nuk është vetëm një parlament njëpartiak, një parlamenti i një njeriu," deklaroi kryetarja e partisë kryesore opozitare pas takimit me kolegët e pakicës që vendosën dorëzimi e mandateve.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, shprehu keqardhje për bojkotin e opozitës.

Salome Zurabishvili : Durimit të popullit po i vjen fundi. Kemi gati 30 vite që nga pavarësimi prej perandorisë sovjetike, që ndërtojmë një shtet. 30 vite janë mosha e pjekurisë, për personin por edhe shtetin. Është koha të thyejmë rrethin vicioz dhe të ecim përpara.

Deklaratës së saj për kompromis iu bashkuan ambasadorët e Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Partia për "Ëndrrën Gjeorgjiane" e themeluar nga Bidzina Ivanishvili qëndron në pushtet nga viti 2012 por po përballet me pakënaqësinë qytetare për gjendjen ekonomike dhe standardet e demokracisë.

Kritikët akuzojnë miliarderin Ivanishvili si personin që po persekuton kundërshtarët politikë dhe ka krijuar një sistem korruptiv që vendos se cila parti vjen në pushtet.