SHBA: Ekspertët amerikanë të vaksinave miratojnë përdorimin me urgjencë

Amerika pritet të miratojë përdorimin në shkallë të gjerë të vaksinës antikovid të prodhuar nga kompania farmaceutike "Pfizer" dhe gjermanët e "BioNTech".

Përdorimin urgjent të saj e rekomandoi të martën një panel ekspertësh të pavarur, duke pasuar vendimin e Britanisë, Kanadasë, Bahrejnit dhe Arabisë Saudite.

Dozat e para raportohet se janë rezervuar për punonjësit shëndetësorë dhe shtresat më në rrezik, si të moshuarit, ndërsa në pranverë, sasia do u vihet në dispozicion qytetarëve të tjerë.

"Mendojmë se do duhet të vaksinojmë rreth 75 për qind ose më shumë njerëz në vend për të arritur nivelin e imunitetit të turmës që do krijonte një ombrellë mbrojtëse për tërë vendin."

Në Los-Anxheles, këta të fundit mbeten dyshues për efektet e mundshme anësore.

"Unë nuk bëj as vaksinën e gripit. Ndoshta për një, dy apo tri vite, vaksina mund të jetë më e sigurt, por edhe po të miratohet tani, nuk kam për ta bërë."

"Duam të sigurohemi që funksionon realisht, dhe jo që të na sëmurë më keq. Unë kam dyshimet e mia prandaj duhet të na provojnë të gjithëve se është 100 për qind e sigurt."

Vaksina e "Pfizer" rezulton 95 për qind efektive në mbrojtjen kundër koronavirusit të ri.

Personave alergjikë në Britani u është sugjeruar ta evitojnë vaksinimin në fazat e para pasi janë raportuar raste të rralla të reaksioneve, që mësohet se do merren parasysh edhe në SHBA.

Në luftën për vaksinat, Australia njoftoi të premten se ka hequr dorë nga rreth 750 milionë dollarë investim për një vaksinë eksperimentale të zhvilluar brenda vendit, ndërsa kompania farmaceutike franceze, "Sanofi", tha se as produkti i tyre nuk përmbushi pritshmëritë.

Ndërkohë britanikët e "AstraZeneca" dhe Universiteti i Oksfordit pritet të bashkëpunojnë me prodhuesit e vaksinës ruse "Sputnik V" për të krijuar një antivirus më efikas se ai aktual.

SHBA-ja është vatra më e goditur nga pandemia me një numër viktimash që po i afrohet shpejt bilancit tragjik të 300 mijë vetave, ndërsa në gjithë botën sëmundja e kovidit-19 ka vrarë mbi 1 milion e gjysmë njerëz e ka infektuar afro 70 milionë të tjerë.

Në Europë, Franca kryeson me rastet, ndërsa Britania e Madhe, me numrin e viktimave.