Beqaj akuza opozitës: Përpjekje e shëmtuar për të përdorur fëmijët si kamikazë, pse u zgjodh Shkodra për këtë provokim?

 I dërguari i PS në Shkodër, Ilir Beqaj, akuzoi opozitën si orkestruese të protestës së sotme në Shkodër që u mbyll me  djegien dhe shkatërrimin e  objekteve të selisë së PS në këtë qytet.

Beqaj e cilësoi një akt të paprecedent përdorimin e fëmijëve si kamikazë në protestë, duke shtuar se nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Por më i zemëruar tha se është se pse u zgjodh pikërisht Shkodra për të manifestuar atë që e cilësoi një akt të shëmtuar.

Ilir Beqaj: Shkodranët dhe gjithë shqiptarët janë të mençur që vetëm një polic nuk mund të jetë policia e shtetit. Politikisht dhe shtërërisht është reaguar ndaj asaj ngjarje.Polciia është ndaluar, hetimet kanë filluar, Ministri i Brendshëm Lleshaj ka bërë dhe një gjest politik. Për herë të parë ka një përpjekje të shëmtuar për të përdorur fëmijët si kamikazë për qëllime të ulëta politike. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Unë jam i mërzitur se pse u gjet Shkodra për të bërë këtë provokim  të ndyrë me shqiptarët. Nuk është kjo Shkodra, Shkodra është edhe e demokratëve dhe socialistëve. Kemi bërë beteja politike, kam 11 vjet që bëj politikë këtu dhe nuk ka ndodhur kurrë ajo që kam ndjerë sot.

Beqaj ndërkohë hedh poshtë pretendimet e kryebashkiakes Ademi se policia ka bërë sehir përballë dhunimit të selisë së PS.

Beqaj: Skuthen politike nuk e ha askush. Është evidente. Si e administron operacionin policia është detyrë e policisë, ka informacion më tepër se ne, di vatra të ndryshme që mund të jenë të gatshme për të krijuar incidente. Ka brenda saj struktura që kontrollojnë veprimet apo mosveprimet e policisë. Ka 5 ditë që Sali Berisha mburret sesi vrau 4 vetë në 21 janar dhe mërzitet pse nuk vrau më shumë. Fakte më shumë se kaq, ashiqare janë në sytë e publikut.

Beqaj tha se ka një përpjekje që protesta të paraqitet si zemërim popullor.

Beqaj: Ka përpjekje për të krijuar përceptimin se ky është zemërim popullor. Nëse ka pasur ndonjëherë të drejtë zemërimi i ligjshëm popullor ka qenë ai i antikomunistave të Shkodrës për persekutimin në vite, se kanë bërrë kurrë atë që ndodhi sot.