Bilanci i protestave në Tiranë, 87 të arrestuar, lirohen tre të parët
Një numër i lartë protestuesish janë arrestuar për tre ditët e protestave në kryeqytet, ndërsa nuk kanë munguar arrestimet edhe në rrethe. Policia ka njoftuar procedimin në gjendje të lirë të 250 pjesëmarrësve. Në një njoftim të kësaj të shtune drejtuesit e policisë paralajmërojnë se nuk do të ngurojnë t’i përgjigjen proporcionalisht dhunës së protestuesve.
Edhe 25 protestues të tjerë do të përballen me gjykatën, me 7 akuza për grumbullimin e revoltën e së enjtes në mbrëmje në kryeqytet.
Së bashku me 59 të arrestuarit e protestës së dytë dhe 3 të protestës së datës 9 dhjetor që përkon një ditë pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha, në total do të gjykohen 87 persona.
Ndërsa të proceduar në gjendje të lirë janë rreth 250 protestues, nga të cilët 130 persona vetëm për protestën e së enjtes.
Këtë të shtunë u dha edhe masa e sigurisë për 3 të parët.
Altin Goxhaj: Sot ata do të shkojnë të flenë në shtëpinë e tyre, masat e sigurisë që u dhanë për ta ne do ti apelojmë të tre avokatët në Gjykatën e Apelit por e rëndësishme është që ata u liruan. Respekte për gjykatësen, e cila ka pasur një presion të jashtëzakonshëm mendoj unë nga pushteti dhe sistemi sesi funksionon në Shqipëri drejtësia. Por në fund fare triumfoi e vërteta. Nuk kishte asnjë provë për ta.
7 persona janë arrestuar, 2 janë shpallur në kërkim dhe 15 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë nga Policia e Durrësit për aktet e dhunës gjatë protestës së mbrëmjes së të premtes në qytetin bregdetar.
Ata akuzohen për shkatërrim të pronës, kundërshtim të forcave të policisë, pengim të qarkullimit dhe organizim e pjesëmarrje në protestë të paligjshme.
Në njoftimin e kësaj të shtune për protestën e së premtes në kryeqytet policia thekson se si pasojë e sulmit me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 3 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike.
Policia pretendon se ka përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm, të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë.
Ndërsa vë në dukje se disponon të gjitha pamjet e pjesëmarrësve, policia u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji.
Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye.