Ademi kallëzon në prokurori drejtuesit e policisë: Me duar në xhepa lejuan dhunimin e selisë së PS

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, kallëzon në prokurori drejtuesit e policisë së shtetit, duke kërkuar “Procedimin penal  të punonjësve dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”- thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.

Kallëzimi penal është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit në nenet 17, 105, etj., përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale.

Kallëzimi është dërguar sot në Prokurorinë e Shkodrës.

Shkodranët e shprehën zemërimin ndaj qeverisë duke djegur e shkatërruar selinë e Partisë Socialiste në pushtet.

Një grup pjesëmarrësish, kryesisht adoleshentë, u futën me forcë në shtëpinë e socialistëve.

Nxorrën prej aty dokumenta e orendi dhe më pas i vunë flakën para në rrugën para godinës.

Kjo grua dhe disa aktivistë të tjerë nuk arritën ti ndalojnë aktet e dhunës.

Tensionet zgjatën për rreth gjysmë ore, ndërsa këto pamje tregojnë çfarë ndodhi brenda godinës.

Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë ndërhynë rreth1 orë e gjysmë pas nisjes së protestës.