Vrasja në Laprakë, Sokolaj: Ngjarja ka dy viktima, shumë shkelje dhe elementë fajësie. Pikënisje e tragjedisë, relatimi i gjobës
Vrasja e të riut në Laprakë pak pas mesnatës është mbuluar nga shumë të panjohura.
Drejtori i Informacionit i Ora News, Trashgim Sokolaj, thotë se ngjarja ka dy viktima, 25-vjeçarin Klodian Rasha që u vra me dy plumba nga polici por edhe vetë efektivin që kreu krimin.
Sokolaj: Është një rast për të ngushëlluar familjen e 25 vjeçarit që u vra sot. Ai nuk ishte as duke grabitur në bankë, as duke mbajtur dikë peng, situta të zakonshme ku jemi mësuar që policia ekzekuton apo përdor armë zjarri. Kjo ngjarje ka dy viktima. Ky episod ka ndikuar dhe fatin e punonjësit të policisë që shkrepi armën në këto rrethana.
I ftuar në Rtv Ora ai tregoi të gjithë dinamikën e vrasjes.
Sokolaj: Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:25 minuta pas mesnatës, e gjithë skena e krimit është nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi deri në afërsi të banesës së 25-vjeçarit Klodian Rasha në Laprakë. Polici i arrestuar për ngjarjen bashkë me kolegun e tij duke patrulluar kanë konstatuar lëvizjen e këtij personi. Ka njoftuar në sallën operative se kanë konstatuar një të ri, kanë dhënë përshkrimin dhe vendodhjen, që kishte shkelur aktin normativ të kufizimit pas orës 22:00 të lëvizjes për shkak të masave anti-Covid. Kjo është pikënisja e kësaj ngjarje tragjike. Sipas rregulloreve të brendshme që janë duke u aplikuar gjatë pandemisë, duhet të relatohet në fund të orarit të shërbimit fleta e gjobës që mund të krijonte dyshim se qytetari i ka dhënë para policit dhe e ka shmangur apo ishte një i njohur i tij.
I riu ka marrë dy plumba pas shpine ndërsa vraponte. Sipas Sokolaj, ngjarja ka shumë shkelje dhe shumë elementë fajësie që do të dalin me ekspertizën dhe vazhdimin e hetimit.
Sokolaj: Kemi një plumb në kokë dhe një në pjesën e krahërorit, i cili dyshohet se ka hyrje në pjesën e pasme. Kemi dy plumba vdekjeprurës. Nuk është sqaruar nëse polici e ka paralajmëruar të riun që do ta qëllonte me armë apo jo pasi ligji për përdorimin e armëve të zjarrit dhe udhëzimi që ka policia kërkon që të prezantohesh si punonjës dhe më pas ta paralajmërosh që do ta qëllosh dhe më pas të përdorësh armën.
Sakaq policia njoftoi disa orë pas ngjarjes se ka gjetur armën e të riut shumë metra larg skenës ku ka ndodhur vrasja, ndërsa familjarët thonë se ai ka pasur vetëm dy hurma me vete.
Sokolaj: Kjo ngjarje është një ngjarje që shkaktoi reagime të kompleksuara nga policia, janë kritike dhe të neveritshme në situata të tilla. Kur ndodh një ngjarje e tillë dhe një efektiv shkel ligjin është normale të kemi situata të tilla. Diferencën e bën mënhyra si reagon institucioni. Kishimin një komunikatë të policisë në 7:30 të mëngjesit sot ku ku citohej dëshmia e policit dhe pretendohej që polici kishte parë të riun që i drejtonte diçka që dukej si armë zjarri por në komunikatë nuk përmendej arma e zjarrit. Rreth katër orë pas ngjarjes është gjetur një armë diku në rrugicat ku policia pretendon se i riu ka vrapuar për ti ikur policit dhe më pas u bë një komunikatë ku ky sendi me të cilën i drejtohej viktima policit ishte një armë sepse u gjet arma. Nuk kemi kontroll fizik të viktimës, u gjet në xhep, në çantë. Mund të jetë dhe e dikujt tjetër kjo armë.Elementi tragjik i kësaj historie është se i riu ka dashur të ikë nga polici në drejtim të banesës mesa duket për të shmangur gjobën. Është një person që ka pasur precedent të mëparshëm por kjo nuk e ligjëron ngjarjen që ka ndodhur.
Sokolaj shton më teje se ka pasur një tentativë për të minimizuar sa më shumë përgjegjësinë institucionale, në këtë rast të efektivit që kreu vrasjen.
Sokolaj: Dyshoj që gjithë ditës sot me reagimet që ka pasur Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka pasur një tentativë për ta përpunuar ngjarjen dhe për ta paraqitur në një mënyrë të caktuar për të ulur sa më shumë përgjegjësinë institucionale të punonjësve të policisë. Një pjesë e kësaj ngjarje është e filmuar, kur polici ndjek të riun. Një skandal brenda këtij skandali është se punonjësit e policisë kanë qenë pa kamerat e trupit, një tender shumë i kushtueshëm në buxhetin e Ministrisë së Brendshme që u bë me bujë të madhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin e policisë. Duket se është shumëzuar me zero.
Ndërkohë përjashtimin e policisë së Tiranës nga hetimet ai e sheh si një element pozitiv sakohë përjashtimi i policisë vjen si iniciativë e prokurorisë.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana