Kina gati të rivendosë marrëdhëniet me SHBA-në
Ministri i jashtëm i Kinës deklaroi se Pekini është i hapur për të rifilluar marrëdhënien e tij me SHBA.
Marrëdhëniet e dy vendeve janë në një “pikë kritike historike” tha Wang gjatë një takimi me udhëheqësit e biznesit nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë të hënën e 7 dhjetorit.
"Përparësia kryesore është që dy palët të punojnë së bashku për të hequr të gjitha llojet e ndërprerjeve dhe pengesave dhe për të arritur një tranzicion të qetë në marrëdhëniet Kinë-ShBA", tha Wang, shkruan CRI.
Ai shtoi se Kina dhe ShBA-ja duhet të punojnë në atë drejtim që u shërben interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve, në mënyrë që dy palët të mund të rinisin dialogun, të rindërtojnë besimin e ndërsjellë dhe t’i rifusin marrëdhëniet dypalëshe në pistën e duhur.
"Vështirësitë serioze të hasura në marrëdhëniet kino-amerikane në vitet e fundit janë diçka që ne nuk duam ta shohim dhe besoj se është gjithashtu diçka që të gjithë sektorët e komunitetit amerikan, përfshirë komunitetin e biznesit, nuk duan ta shohin", tha Wang.
Kina dhe ShBA-ja kanë histori, kultura, sisteme shoqërore dhe rrugë zhvillimi të ndryshme, por të dy palët ndajnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta dhe hapësirë për bashkëpunim të gjerë, theksoi kryediplomati kinez.
Si dy ekonomitë më të mëdha në botë, "Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë dialogun dhe bashkëpunimin dhe të japin kontribut më të madh për paqen e qëndrueshme dhe begatinë e njerëzimit", theksoi Wang.
Ëang shprehu shpresën se 'politika e ShBA-së mbi Kinën do t'i kthehet sa më parë objektivitetit dhe racionalitetit’.
Përballë sfidave të mëdha botërore, të tilla si përhapja e COVID-19 dhe recesioni ekonomik, Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të tregojnë përgjegjësi, vuri në dukje numri një i diplomacisë kineze.