Covid-19, gazetari: Mos e dhëntë Zoti që Rama të përdorë edhe vaksinimin për fushatë
Kryeministri Edi Rama njoftoi të shtunën se është nisur drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të takohet, sipas tij, me prodhues të vaksinës kundër koronavirusit.
Gazetari, Bledian Koka, i ftuar në Rtv Ora, shpreson shumë që qeveria të mos përdorë edhe vaksinën për çështje elektorale, duke hedhur dyshime se ajo nuk do të mundësohet para pranverës.
Koka: Ajo vaksina për të cilën ka shkuar deri në SHBA për ta marrë nuk ka për të ardhur dhe nuk ka për tu aplikuar deri nga shkurti apo marsi. Nuk e kuptoj se çfarë kjo qeveri që na shet si sukses se është pjesë e grupit anti-COVAX, mirë që nuk japin një datë por kanë edhe intepretime që duke e njohur Rilindjen, vështirë që ashtu siç do përdoren banesat e tërmetit si kartë elektorale, mos e dhëntë Zoti që edhe çështjen e vaksinimit të popullsisë që duhet të nisë një orë e më parë që të shpëtohen jetë, mos ta bëjnë për çështje elektorale. Mos e dhëntë Zoti se nuk do të kishte gjë më të rëndë se kjo.
Në SHBA, janë dy kompani që kanë deklaruar deri tani rezultate shpresëdhënëse për vaksinën e tyre anti-Covid, Pfizer dhe Moderna.
Të dyja kanë kërkuar miratim të shpejtë për shpërndarjen e vaksinave të tyre. Por Kryeministri nuk bëri të ditur se me kë do të takohet specifikisht.
Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu ka deklaruar se Shqipëria ka bërë tashmë një parapagim prej 3,9 milionë dollarësh, në kuadër të Covax për të siguruar vaksinën kundër koronavirusit sapo ajo të jetë e gatshme.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana