Prej ditësh në intubim te "Shefqet Ndroqi", koronavirusi u merr jetën dy inxhinierëve në Berat
Dy inxhiniera në dy institucione të rëndësishme në qytetin e Beratit kanë humbur sot jetën si pasojë e virusit të rrezikshëm Covid-19.
Inxhinieri i Spitalit Rajonal Berat,55-vjeçari Alfred Lulaj dhe inxhinieri i OSHEE-së, 60-vjeçari Armand Spathara e kanë humbur betejën me Covid-19 në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Lulaj dhe Spathara ishin të shtruar prej dy javësh në Spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë, ku ishin të intubuar.
Mësohet se asnjëri prej dy inxhinierëve që humbën jetën nga Covid-19 nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
Ata ishin transportuar rreth dy javë më parë nga Spitali i Beratit drejt spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë, në gjendje të rënduar.
Pas disa ditësh në intubim dhe gjendja e tyre është përkeqësuar.
Mësohet se ata kanë shfaqur komplikacione dhe kanë ndërruar jetë.
55-vjeçari Alfred Lulaj kishte 10-vjet që punonte si inxhinier në Spitalin Rajonal Berat, ndërkohë që 60-vjeçari Armand Spathara mbante mbi supe një karrierë prej më shumë se 20-vitesh në drejtorinë e OSHEE-së Berat, ku punonte si inxhinier në sektorin e dispecerisë.
“Armand Pellumb Spathara u largua sot nga jeta prej virusit Covid 19 befasish , duke lënë trishtim mes nesh. Nje Inxhinier profesionist , nje mik i mirë, por mbi të gjitha gjithmone i qeshur. Me 1 eksperience prej me shumë se 20 vite ne drejtorine e OSHEE Berat, do të kujtohet gjithmone për kontributin e dhene në sektorin e dispecerise. I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkohemi me dhimbjen e tyre ! Qofsh i parajses Mandi” shkruan OSHEE Berat.
Pas vdekjes së tyre, kanë qenë të shumta mesazhet e ngushëllimit në rrjetet sociale nga miq e kolegë të dy inxhinierëve për familjarët e tyre.
Në 24 orët e fundit, Berati regjistroi 12 raste të reja me Covid, prej tyre:
-1 mësuese në shkollën 9-vjeçare "Thimi Tani"
-1 mësuese në shkollën 9-vjeçare në fshatin Bogdan
-1 mësuese në shkollën 9-vjeçare në fshatin Velabisht
-1 mësuese në shkollën private "Ylli i Mëngjesit"
-1 infermiere në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Beratit.
-1 personel administrate në Burgun e Beratit.
-1 polic në DPV Berat