Situata me COVID-19, Meta: Qytetarët të mos presin nëpër ambulanca, qeveria mos të kursehet
Presidenti i Republikës Ilir Meta reagon sërish pas shtimit të rasteve të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e Covid-19.
Sipas kreut të shtetit, kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19.
"Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet", shprehet ndër të tjera Meta.
Reagimi i plotë:
Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës së pandemisë COVID-19.
Rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor.
Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet.
Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19.
Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme.
Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj.
COVID-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari"
Ditën e sotme, Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 840 raste të reja dhe 16 viktima nga Covid-19.
Situatë e rënduar paraqitet edhe në spitale ku po trajtohen 479 pacientë, 35 në terapi intensive, 9 pacientë janë të intubuar.
Lexo edhe:
Vijon situata e rënduar në vend nga Covid 19: 840 raste të reja dhe 16 viktima në 24 orë