Kujdes nga rrjetet sociale! Policia jep këshilla si të shmangni skemën e shantazhuesve

Policia e shtetit paralajmëron qytetarët të bëjnë kujdes me përdorimin e rrjeteve sociale pasi kohët e fundit janë rritur rastet e denoncimeve për shantazhe nga profile false. Autorët krijojnë adresa false dhe pasi marrin të dhënat personale, ata kërkojnë në favor shuma parash ose të dhënat sensitive do i bëjnë publike tek të afërmit.

Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve që të bëjnë kujdes me rrjetet sociale, pasi kohët e fundit ka pasur rritje të numrit të denoncimeve për shantazhe nga persona anonim.

Sipas policisë, ata krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra shqiptarësh më pas marrin të dhëna personale dhe i përdorin për shantazh.

Deri më tani sipas policisë, nga rastet e hetuara nga Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike janë konstatuar vetëm shtetas të huaj që përdorin emra të rremë.

Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre. 

Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private.

Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme.

Pas kësaj autori fillon të shantazhojë personin me publikimin e të dhënave personale duke shfrytëzuar njohjet që ka personi në internet.

Për të ndaluar shantazhin apo për të fshirë të dhënat, autorët kërkojnë para të cilat duhet t’i dërgohen nëpërmjet llogarive bankare.

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal.

Zyra e shtypit e policisë këshillon qytetarët të mos japin të dhëna personale në rrjetet sociale, të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë, të mos komunikohet me profile që janë në rrethin e njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata.

Masat e sigurisë

Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre;

Të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata;

Të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë;

Të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.