Harrohen “kufitarët” në Dibër, banori pyet gazetarin: Me makinë erdhe? Mirë që nuk ke mbetur në rrugë
Banorët e Zonës së Gollobordës thonë se janë të harruar e braktisur nga bashkia e Bulqizës. Sipas tyre, të zgjedhurit vendorë kujtohen për ta vetëm në kohë fushate kur u kërkojnë votën, ndërsa ata përballen me mungesën e investimeve, kryesisht në infrastruktrurën rrugore.
"Si erdhe ti, me makinë erdhe? Shqyqyr që nuk ke mbetur në rrugë! Është rrugë e vdekur, na kanë harruar!"
Pamjet vërtetojnë shqetësimin për këdo që udhëton në këtë rrugë, por ironia e këtij banori të Gollobordës në Bulqizë shkon për shtetarët që e kanë lënë kështu.
"Rruga ka mbaruar prej 20 vitesh. Nuk pyet njeri për ne.Duhet me vu goma përditë.Për kohë fushate vijnë."
Rruga nis nga Ura e Çerenecit dhe vijon përgjatë bregut të lumit Drin i Zi, që është edhe kufiri ndarës me Maqedoninë e Veriut.
Para viteve 90-të përdorej për kontrollin e kufirit, ndërsa në ditët e sotme ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës së Gollobordës.
"Rruga është shumë e keqe."
"Në komunizëm të paktën mbahet e shtruar me çakull."
"E ka bërë Italia këtë, nuk ka as punëtor, asgjë. Me shpresë te Zoti."
Banorët shprehen se vetëm në fushata elektorale pushteti vendor apo ai qëndror kujtohet për ta.
"Për fushata vijnë e lëshojnë ndonjë karrocë zhavorr."
Rruga është në inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa banorët fajësojnë edhe Bashkinë e Bulqizës që sipas tyre nuk ka bërë asgjë që kjo situatë braktisje shtetërore siç e quajnë të ndryshojë.