Festa e fundvitit, pandemia detyron qytetarët të kenë më pak shpenzime
U bë viti i dytë që urimet e shqiptarëve për fundvit shkojnë vetëm për shëndet të mbarë dhe më pak fatkeqësi natyrore.
Tërmeti i 26 nëntorit dhe tashmë pandemia i ka shtyrë për më pak shpenzime dhe më shumë kursime.
Dhe kjo sjellje do të jetë e tillë dhe për natën e ndërrimit të viteve.
Qytetarja: Asgjë, ku i kemi lekët.
Prenotimet në lokale dhe restorante pritet të jenë më të ulëta për festat e fundit të vitit, teksa organizimet janë orientuar vetëm mes familjarëve më të afërt.
Qytetarja: Edhe familjarisht mblidhemi a nuk mblidhemi këtë vit, se kanë frikë
Qytetari: Me fëmijët e mi, ku të jenë, do ta festojmë
Dëshirat e fëmijëve në kohë festash janë të shumta, por të diktuar nga pandemia edhe ata janë munduar t’i kursejnë prindërit.
Vajza: Unë për veten time doja të haja një darkë me familjen, të vishesha bukur si fëmijë që jam. Të blija një dhuratë. Unë kam qejf të blej shumë dhurata po meqë është kjo koha, do blejmë ça të kemi mundësi.
Frika e qytetarëve por edhe masat kufizuese të qeverisë kanë reduktuar dhe frekuentimin e zonave turistike.
Eksperti, Feriold Ozuni, thotë se referuar shifrave të një viti më parë, janë bërë vetëm 10 % e prenotimeve, e këto vetëm prej anëtarëv të ngushtë të së njëjtës familje.
Feriold Ozuni: Kryesisht për lëvizjet me një grup të ngushtë familar, pra pjesëtarë të një familje, apo motra dhe vëllezër, persona që kanë kontakt të ngushtë të përditshëm
Periudha e festave të fundvitit pritet të sjellë edhe një shtim të kontrolleve për zbatimin e masave anti-Covid, ndërsa nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë u është kërkuar qytetarëve të shmangin festimet masive.