Përgjysmimi i dënimit për serbin e akuzuar për masakrën në Krushë zemëron Kosovën
Më shumë se dy dekada pas, familjarët e viktimave të Krushës së Madhe kërkojnë drejtësi. Një nga autorët e masakrës, i dënuar këtë vit me 22 vite burg, ka përfituar përgjysmimin e dënimit.
Banorët e fshatit Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël në Kosovë thonë se nuk do ia falin serbëve krimet e luftës të dy dekadave më parë.
Me parulla në duar, ata protestuan të enjten para Pallatit të Drejtësisë pasi Gjykata e Apelit përgjysmoi nga 22 në 11 vite dënimin ndaj Darko Tasiçit, fajtorin e masakrës së marsit 1999.
Familjarët e viktimave e quajnë përgjysmimin e dënimit, masë drastike dhe të padrejtë.
Hoti: Ne sot bashkë me familjarët nga Krusha e Madhe dhe e Vogël kemi ardhur këtu para Pallatit të Drejtësisë për të shpreh revoltën tonë dhe pakënaqësisë sonë me rastin e uljes në mënyrë drastike të dënimit të kriminelit Darko Tasiq i cili është përgjegjës dhe jo vetëm ai por bashkë me serbët lokal dhe gjithë aparatin shtetëror për krimet që i kanë bërë. Ne do të futemi brenda me një grup prej familjarëve dhe do flasim me kryetarin dhe shohim çfarë do të na thotë. Më pas shohim çka do të na thotë.
Shehu: Ende nuk i dina eshtrat e 68 personave. Nëse 21 vite ne po presim për me i varros e zhvarros dhe mënyra tjera si kanë vepruar me më ta dashurit tonë. Ne jemi ardhur këtu për të kërkuar drejtësi, e ata nuk janë gjendje me ardh para familjarëve me i fol dy tri fjalë, e kjo është edhe një padrejtësi tjetër ndaj neve përveç asaj që është padrejtësia më e madhe që i është përgjysmuar dënimi kriminelit Darko Tasiq. Ne jemi të indinjuar, jemi të shqetësuar, jemi të mërzitur, nuk di as cilat shprehje t’i themi për ato ndjenja shpirtërore që kemi e që krimineli as dënimin e mjaftueshëm nuk e ka pas për krimet që ka bërë në fshatin tonë dhe fshatrat përreth. Padrejtësi shumë e madhe është ulja e dënimit por edhe tash mënyra se si nuk janë në gjendje kryetari i gjykatës apo përfaqësues me dalë këtu”, është shprehur Shehu.
Darko Tasiç u dënua në qershor të këtij viti nga Gjykata e Prizrenit, për pjesëmarrjen në masakrën e 1999-ës.
Sipas dëshmitarëve, atëkohë ai ishte parë duke ngarkuar trupat e viktimave në një kamion bashkë me të atin, e më pas i kishte djegur e hedhur në lumë.
Shehu: Ata që kanë bërë krime aq të mëdha edhe ato fshihen, gjitha dëshmitë tona janë fsheh. Ne kemi dhënë dëshmi që 20-21 vite kemi dhënë dëshmi, sa shumë dëshmi kanë gjitha ato dëshmi janë fsheh...Dënimi i përgjysmuar është krejt e papranueshme. Gjithherë i kemi mësuar këto politika, shkalla e parë, shkalla e dytë e vjen deri te ulja e dënimit. Por dënimi përgjysmë është shumë i papranueshëm, është shumë fyes, brengosëse dhe shqetësuese.
Masakra e Krushës së Madhe u krye më 25 mars 1999 në fshatin me të njëjtin emër, në afërsi të Rahovecit, një ditë pas fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO.
Forcat serbe hynë në fshat duke veçuar femrat nga meshkujt, vranë mbi 240 persona, ndërsa mbi 60 rezultojnë ende të pagjetur.