Taksat e makinave në kolaps, ngec sistemi në DPSHTRR, radhë stresuese në pritje të kolaudimit

Prej dy ditësh qytetarët e Tiranës janë përballur me një situatë kaotike pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Prishja e sistemit ka bërë që në sportele të ketë radhë, duke mos respektuar as distancimin social.

Ashtu si dje edhe këtë enjte drejtuesit e mjeteve janë përballur me pritje dhe radhë pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Situata është bërë publike edhe dje në media, madje duke evidentuar grumbullime të shumta në shkelje të masave ndaj Covid-19. Por sërisht nuk ka pasur asnjë reagim.

Kaosi i shkaktuar ka ardhur si pasojë e ndryshimit të sistemit.

Të shqetësuar shprehen se nuk mund të lënë radhën, pasi rrezikojnë orarin e kolaudimit të automjetit.

Kjo situatë shqetësuese vjen një muaj para përfundimit të kontratës nga koncesionari i kolaudimit të automjeteve, e duke filluar që nga janari këtë shërbim do ta ofrojë vetë shtetit.