Konfirmohet në detyrë prokurori Kujtim Luli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Kujtim Luli.

Procesi i vetingut për prokurorin Luli u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Xhensila Pinen.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar me 17 nëntor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme serioze të prokurorit Kujtim Luli, ndërsa ky u fundit u ballafaqua me pyetje për përfitimin e një kredie të butë si dhe dënimin e nipave të tij –për të cilët tha se i kishte deklaruar në formularin e figurës.

Kujtim Luli e ka nisur karrierën si prokuror ushtarak në vitin 1992, funksion që e ka mbajtur deri në vitin 2002.

Prej gati dy dekadash ai ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në vitet 2015-2017, Luli ka punuar gjithashtu si prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrësit.