Tenton të korruptojë efektivët e policisë, arrestohet 43 vjeçari

Një 43 vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi u përpoq të korruptonte efektivët e Policisë Rrugore.

Sipas informacioneve, drejtuesi i mjetit ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ndërkohë që pas kryerjes së veprimeve policore i ka ofruar punonjësve të Policisë Rrugore një kartëmonedhe me prerje 10 euro.

Në funksion të kontrolleve policore, në rrugën “Isuf Elezi” është ndaluar drejtuesi i një automjeti, pasi po udhëtonte në mënyrë të çrregullt. Nga verifikimi ka rezultuar se shtetasi E. B. po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit në masën 1.10 mg/l testi i parë dhe 0.91 mg/l testi i dytë.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit iu ka ofruar punonjësve të Policisë Rrugore një kartëmonedhe me prerje 10 euro, me qëllim shmangien e penalizimit për shkeljen e kryer”, njofton Policia.

43 vjeçari është arrestuar  për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.