Roshi kundër Komisionit për raportin e Dick Marty: Nëse UÇK ka vepruar në Kukës, përgjegjësi e qeverisë Majko
Deputeti opozitar, Artur Roshi, kundërshtoi nismën e mazhorancës përngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty, duke e akuzuar se po e përdor UÇK për luftë të brendshme politike.
Nga foltorja e Kuvendit, Roshi tha se nëse duhet të ketë hetime për veprimtarinë e UÇK në Shqipëri atëherë ato duhet të nisin nga ish-qeveria e majtë që asokohe drejtohej nga Pandeli Majko.
Roshi: Ngritjja e Komisionit për të hetuar një ushtri që ka vepruar në një territor administrativ tjetër nga ky i yni, edhe pse është pjesë e të njëjtit komb, është e pavlerë. Në kohën e këtyre ngjarjeve Kosova ishte një shtet i paformuar ende dhe nëqoftëse ju ngrini pretendimin se UÇK ka vepruar në Kukës, atëherë përgjegjëse duhet të jetë qeveria e asaj kohe në Shqipëri, që është qeveria Majko. Dhe ky Komision duhet të fillojë nga hetimi i ish-qeverisë tuaj dhe me dëshmitë e funksionarë të shtetit shqiptar të asaj kohe. Unë kam besim që UÇK ka qënë në pozitat e një lufte çlirimtare të drejtë, të një lufte që ju nuk mund ta përdorni politikisht për qëllimet tuaja elektorale dhe aq më pak të hidhni shashka për kaseta të humbura e shtëpi të verdha.
Gdhihet Perëndia pa darkë kur ju akuzoni për goditje pas shpine. Nëse ky komision do të përdoret për luftë politike të brendshme, thjesht do të jetë një veprim i ulët që nuk do të prodhojë atë që ju prisni por të kundërtën e asaj që prisni. Ndërkombëtarët ashtui siç ndihmuan Kosovën dhe UÇK në misionin e tyre për lirinë dhe pavarësinë, ashtu do të jenë në krah të krerëve të UÇK dhe në Hagë. Jemi të gjithë të bindur se e drejta e tyre do të kolaudohet në Hagë sepse Haga nuk është një gjykatë sikundër ju e keni konceptin, pra që është në diktatin e dikujt. Unë do të isha kundër këtij Komisioni edhe nëse ai shigjetën do ta drejtonte drejt jush.
Përkundër kësaj, mazhoranca miratoi ngritjen e komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty me 85 vota pro dhe 12 kundër.
Shumica do të përfaqësohet në Komision me deputetët Ulsi Manja, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj.
Ndërsa nga opozita do të marrin pjesë në Komision Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe deputetja e pavarur Elena Xhina.