Pavarësinë, e fituam apo na e falën?
Emisioni “Arena” mbrëmjen e të mërkurës ia dedikoi Pavarësisë së Shqipërisë. Të ftuarit në studio, historianë dhe studiues thanë se Pavarësia ishte produkt i përpjekjes së elitës shqiptare por edhe ndihmës së Perandorisë Austro-Hungareze.
Të ftuar në emisionin “Arena” nga Dritan Hila, historiani Romeo Gurakuqi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi, studiuesi Paulin Marku dhe historiani Marenglen Kasmi thanë se në krijimin e shtetit shqiptar rol të rëndësishëm luajti elita shqiptare.
Perandoria Austro-Hungareze e përmes saj dhe Gjermania po ashtu dhanë ndihmë të çmuar.
Por sa e vërtetë është deklarata e diktatorit Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Berlin se gjatë luftës Antifashiste, janë vrarë e pushkatuar 28 mijë persona?
Gurakuqi: Ka dokumentacion në vitin 1951 ku ka një vendim të Byros politike, ku jepen pensione për familjet e dëshmorëve. Shifra që rezulton është 3373 familje dëshmorësh me pensionin. Në vitin 1981 është zgjeruar koncepti i dëshmorit të atdheut.Shifra ka shkuar në 6000 dhe kjo është ajo që gjendet në dokumentet e shtetit shqiptar. Këto shifra janë ato që duhen marrë në referim.