Surroi: Komisioni për burgjet e UÇK kurth e fatkeqësi, e vë Shqipërinë në pozitë të keqe
I ftuar në Tempora nga Sonila Meço në RTV Ora, publicisti Veton Surroi u shpreh se ballafaqimi me të kaluarën sapo ka filluar.
"Jemi në një fazë ku historia po përdoret." nënvizon Surroi duke komentuar dhe ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e hetimeve të Dick Martyt nga maxhoranca në Shqipëri.
Veton Surroi: Komisioni hetimor ka qenë një fatkeqësi për çështjen e hetimeve të Dick Marty.
E vë në një pozitë të keqe Shqipërinë, sepse do të ballafaqohet me të vërtetën. Tashmë ka ekzistuar një gjykim në vitin 2011 për disa ish ushtarë të UÇK-së dhe janë dhënë dënime për krime lufte të bëra në territorin e Shqipërisë, Cahan e Kukës, ku kanë qenë burgjet e improvizuara të njësiteve të UÇK-së.
Prandaj ideja se Shqipëria do të ngrejë një komision hetimor ku të dëshmojë se nuk ka pasur krime në territorin e Shqipërisë, do të kundërshtohet nga faktet qysh në fillim. Shqipëria nuk ka kurrfarë nevoje që t'i hyjë një faze mohimi historik, ku kampione është Serbia. Shqipëria nuk ka arsye të vihet në një shportë vlerësuese."
Surroi thote se lufta e UÇK-se duhej të ishte legjitimuar 20 vite më parë.
Lufta e UÇK-së është dashur të legjitimohet 20 vite më parë. Çështë e vërteta nuk ka pasur shumë përkrahje në Shqipëri dhe nuk ka pasur përkrahjen e duhur në disa prej instancave dhe njerëzve që sot flasin për UÇK-në, askohe nuk janë dëgjuar. Por lufta e UÇK-së është fakt historik. Është fakt historik që një grup që ngriti armën për çlirim ndaj një okupatori.
Surroi flet dhe për një kurth
Veton Surroi: Është e njohur se të gjithë shqiptarët andej dhe këndej kufirit nuk arritën të çlirojnë Kosovën dhe u desht ndërhyrja e NATO-s për ta çliruar Kosovën. Kosova e pavarur është fryt i një mundi, sacrifice të popullit shqiptar por dhe pjesë e projektit të bashkimit të popujve në një ide të europës së lirë. Pra ky është një projekt më i madh sesa një përpjekje dhe legjitimi nuk bëhet as me fushata mediale, e aq më pak komisione hetimore.
Sepse edhe po të bëjë mrekullinë komision hetimor, do të prodhojë një dokument i cili do të mbetet në sirtarët e parlamentit të Shqipërisë do të mund të kënaqë rrëfimin e brendshëm brenda parlamentit por nuk do të ketë ndonjë efekt të madh.
Këtu është një kurth që ne nuk guxojmë të hyjmë. Cka do që të ndodhë në procesin juridik ne nuk guxojmë të bëjmë identifikimin kolektiv të UÇK-së as guxojmë të bëjmë identifikimin kolektiv të procesit për arritjen e pavarësisë me çfarëdo zhvillimi, kudo në cilindo gjykatë në botë."
Parlamentet nuk janë institute të historisë. Të merrej instituti i historisë me këto. Parlamenti duhet të merret me cështje funksionale. Cështja funksionale e parlamentit të Shqipërisë është nxitja e fqinjësisë së mirë brenda një konteksti të pajtimit në Ballkan. Pajtimi në Ballkanin Perëndimor nuk mund të vijë pa u ballafaquar me të kaluarën. Dhe pjesa më e rëndësishme e ballafaqimit me të kaluarën janë viktimat."