"Në aksidente, shoferit nuk i bëhet testi i alkoolit", eksperti zbulon skandalin korruptiv

Eksperti rrugor Gëzim Hoxha në një lidhje direkte nga Skype për Ora Neës hodhi akuza të forta ndaj policisë rrugore. Ai tha se në raste aksidenti nuk bëhen testet e alkoolit për individët që janë të përfshirë në aksident. Sipas Hoxhës kjo është një dukuri shumë negative që ka të bëjë me korrupsionin.

Ku çalon problemi?

Gëzim Hoxha për Ora News: Problemi çalon kur ndodh aksidenti. Në Kodin rrugor neni 185 pika 7 thuhet që polica rrugore ka detyrimin ligjor që ti bëjë test alkooli. Për fat të keq në dosjen hetimore që unë kam kapur në duart e mia deri tani nuk e gjej këtë analizë të gjakut që i bëhet këtyre personave. Kjo është një fshehje e të vërtetës. Nuk e ka me dëshirë polici a do ti bëjë apo jo test. Duhet ti bëjë.

Pse ndodh kjo?

Gëzim Hoxha për Ora News: Kjo ka të bëjë me korrupsionin. Është një dukuri shumë negative. Të gjitha dosjet qe kam unë nuk e  kanë një analizë të tillë, aty ka vdekur një njëri. Kemi dhe lëndët narkotike përveç pijeve alkoolike. Policia duhet të rrisë vëmendjen,duhet të jetë më e sinqertë më transparente dhe më e saktë në veprimet e saj. Nuk dua të përgjithësoj që policia nuk punon. Absolutisht  policia punon  bën sakrifica etj. Por këtë gjë e kanë lënë pas dore. Nuk e di pse ndodh. Këtë fenomen e kam ngritur disa herë dhe nuk e gjej dot dhe kujtdo që i drejtohesh, se këto janë gjëra që nuk përsërite,  po kaluan katër orë nga aksidenti nuk mund t'i bësh më test alkooli.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online E.P

Foto ilustruese