Pandemia në rradhët e Policisë, Fishta: 700 efektivë pozitivë, 11 kanë humbur jetën

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta ka bërë me dije në një intervistë për RTV Ora se në gjithë vendin raportohen 700 efektivë blu pozitivë me Covid-19.

Fishta ka treguar se për shkak të një shifre të lartë të rasteve pozitive, janë shtuar orët e punës për ruajtjen e rendit dhe respktimin e masave pandemike.

Fishta: Një pjesë e punonjësve të Policisë, janë në frontin e parë të luftës për të përballuar të gjithë situatën e koronavirusit që nga momenti i shfaqjes së pandemisë. Një barrë të rëndë kanë mbajtur punonjësit e policisë, për shkak të mbingarkesës me orë punës, në ballë të shërbimeve për të zbatuar ato vendime dhe ato ligje që dolën për shkak të pandemisë. Përveç detyrave që kanë, iu shtuan edhe ligjet për pandeminë. 

Duke marrë për bazë edhe numrin e madh të punonjësve të policisë që janë prekur nga pandemia, që kap shifrën mbi 700 të tillë dhe 11 prej tyre kanë vdekur, ngarkesa e tyre është dyfishuar dhe është shtuar vazhdimisht. Sot punonjësit e policisë punojnë mesatarisht 60 orë në javë, kur 40 orë e kanë me ligj dhe 20 orë janë mbi normë. Në muaj ata paguhen vetëm për 1 orë mbi orën e punës.