Punëtorët shqiptarë të dytët në Itali që kontribuojnë në sigurimet shoqërore

Numri i punëtorëve shqiptarë në Itali vjen vit pas viti në rritjedhe në statistikat e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar italian i Sigurimeve Shoqërore ata figurojnë ndër më të shumtit në numër ndër komunitetet e huaja që kontribuojnë në sigurimet shoqërore italiane, por dhe në mbrotjen e garantuar nga pagesat e tyre.

Sipas raportit të publikuar nga INPS Italia (Instituti Kombëtar Italian i Sigurimeve Shoqërore) janë 343.923 shqiptarë që derdhin sigurime shoqërore në Itali, 209.424 prej të cilëve janë meshkuj.

Shqiptarët renditen në vend të dytë për nga numri në regjistrin e sigurimeve shqoërore për komunitetet e huaja në Itali e pas 650.381 emigrantëve rumunë që janë në vend të parë.

298.591 është numri i punëtorëve të rregullt shqiptarë në Itali që derdhin çdo muaj sigurimet shoqërore, e 17.387 është numri i emigrantëve shqiptarë që përfitojnë nga ndihma ekonomike e asistencës për shkak të papunësisë.

Po në rritje është dhe numri i emigrantëve shqiptarë pensionistë në Itali. Sipas INPS emigrantët shqiptarë pensionistë janë aktualisht ndër më të shumtit në numër ndër komunitetit e huaja.

Aktualisht janë 27.945 persona që marrin pension në Itali e renditen të parët për nga numri. Pas tyre renditen pensionistët me origjinë rumune që janë 26.160 e ata marokenë 22.593.

Në koeficient përqindje 8.1% e emigrantëve shqiptarë kontribues të sigurimeve shoqërore në Itali janë pensionistë, 86,8% janë punonjës e 5,1% janë përfitues të ndihmës ekonomike.

Prej vitesh emigrantët shqiptarë në Itali kërkojnë t'u njihen vitet e punës së kryer në Shqipëri me barazvlerën e bashkimit të tyre dhe me vitet e punës në Itali, për të mundësuar kështu marrjen e një pensioni të plotë. Por mes qeverive të dy vendeve ende nuk ka një marrëveshje për njohjen e së drejtës së pensioneve mes Italisë e Shqipërisë.

Emigrantët e parë shqiptarë në Itali pas 30 vitesh emigrim kanë sot moshën e plotë për të dalë në pension e mjaft prej tyre janë përjashtuar nga kjo e drejtë pikërisht për shkak të mungesës së nënshkrimit të një marrëveshje të tillë.

Në statistikat e Institutit Italian të Statistikave është dhe fakti se në Itali ka një përqindje të lartë të pensionistëve me origjinë gjermane. Ata janë 16.596 e baraz me 14,1% të numrit të punonjësve gjermanë në Itali që janë 16.596. Kjo është përqindja më e lartë e raportit mes punonjësve e pensionistëve të komuniteteve të huaja që punojnë e jetojnë në Itali.

Gjithsej në Itali janë në regjistrin kombëtar të sigurimeve shoqërore 3.816.354 shtetas të huaj, ku 3.304.583 janë punonjës, 252.276 pensionistë e 259.495 marrës të ndihmës ekonomike.