Ballo: Nuk është dënuar askush pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërtojnë inxhinierë pa eksperiencë

I ftuar në Ora News, inxhinieri Fitim Ballo u shpreh se pas një viti nga tërmeti i 26 nëntorit qeveria është përqendruar drejt hartimit të projekteve dhe shesheve të ndërtimit dhe nuk janë marrë masa.

Ballo tha se përgjegjësinë në një projekt e mban projektuesi i ndërtimit dhe se kryeministri duhet të nxjerrë kode dhe standarde për këto ndërtime.

Ballo: Pas një viti ne duhet të kishim një eksperiencë dhe disa ligje, për të gjithë llojet e popullatës, qysh nga ata që janë të dëmtuar deri te ata që do të bëjnë investimet. Qeveria është përqendruar drejt hartimit të projekteve dhe shesheve të ndërtimit. Nga ana tjetër nuk janë marrë masa. Nuk është dënuar njeri, por mendoj se përgjegjësi duhet të kishte, së paku individuale. Ne në kohën e monizmit kishim një përgjegjësi individuale, pavarësisht se ishte diktaturë. Për çdo veprim mbahej përgjegjësi nga ndërtuesi.

Përgjegjësinë në një projekt e mban projektuesi i ndërtimit. Kryeministri duhet të nxjerrë kode dhe standarde për këto ndërtime. Ai e ka me dytë me ligj që asnjë godinë nuk duhet të ndërtohet pa studime të tilla të pabazuara në ligje. Projektuesit duhet të jenë të përgjegjshëm.

Ballo theksoi se shumë ndërtime janë bërë nga inxhinierë pa eksperiencë dhe se shteti duhet të mbajë përgjegjësi për këtë pjesë.

Ballo: Këtu dalin inxhinierë me 2-3 vjet ose 5 vjet, kur për një licencë projektimi inxhinieri duhet të ketë së paku 10 vjet eksperiencë në një firmë projektimi. Ne shikojmë tani inxhinierë me 3 vjet që të tërë janë të pajisur me licencë. Këtu ndërtesat nuk janë bërë nga inxhinierë me eksperiencë, se nuk bëhen gabime të tilla trashanike. Janë bërë më shumë inxhinierë të punësuar në punët e shtetit dhe bashki. Ky është një interesi i investitorit se është lirë dhe i personit që do të marrë një projekt dhe para. Këtu së paku të dilte një listë, jo për përgjegjësi penale, por moral. Këtu të gjithë dolën të barabartë, sikurse ai që punoi mirë, edhe ai që punoi gabim. Kjo është përgjegjësia e shtetit.