Drejt Malit të Zi nga sot mund të udhëtoni vetëm brenda orarit 05:00-19:00, ja kush përjashtohet nga fasha

Të gjithë shqiptarët që do të duan të udhëtojnë drejt Malit të Zi përmes pikave kufitare të Hanit të Hotit dhe Muriqanit do të mund të lëvizin vetëm nga ora 5 e mëngjesit deri në 19 pasdite.

Vendimi ka hyrë në fuqi prej ditës së sotme.

"Autoritetet policore malazeze, nëpërmjet një njoftimi zyrtar kanë informuar se me vendim të Komisionit Shtetëror të Menaxhimit të Situatës për COVID-19, duke nisur nga sot, datë 25.11.2020 dhe çdo ditë, deri në një urdhër të dytë, nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit të çdo dite do të ketë ndalim të plotë të qarkullimit në të gjithë territorin e Malit të Zi" njofton policia. 

Përjashtim nga ky rregull bëjnë mjetet e tonazhit të rëndë që kalojnë në kufi (kamionët), mjetet që udhëtojnë drejt aeroportit, shërbimet e urgjencës dhe mjetet ose shtetasit që kalojnë tranzit në territorin e Malit të Zi. 

Sqarojmë se shtetasit shqiptarë mund të kalojnë nëse janë të pajisur me testin serologjik, brenda orarit të përcaktuar 05:00-19:00.