Njerëzit druhen të shkojnë në spital, ende asnjë vendim për dhjetorin
Në një lidhje live për emisionin 'Ditë e Re' në Ora News, gazetarja Anxhela Celibashi ka raportuar të dhënat më të fundit në lidhje me situatën e Covid 19 në vendin tonë. Nga Poliklinika e Specialiteteve nr 3, ajo raportoi se janë 3 poliklinika që prej një jave marrin edhe analiza për personat e dyshuar, ku shihet dhe një neglizhencë për respektimin e masave nga ana e personave të dyshuar për Covid.
"Janë 3 poliklinika në Tiranë që gati prej një javë marrin analizat e personave, analizat e gjakut, analizën e PCR ose grafi për ata që janë të dyshuar me Covid. Mjeku i familjes është ai që i drejton në poliklinika sipas vendbanimeve. Të dyshuarve nga Covid u kërkohet të kenë kujdesin e nevojshëm përsa i përket mbajtjes së maskës, ruajtjes së distancës. Por dhe sot duke pasur parasysh numrin e lartë të të infektuarve duket se paska një neglizhencë ende nga personat të cilët dyshohen se janë të infektuar."- tha gazetarja.
Ajo raportoi se numri i personave që trajtohen në shtëpi dhe që frikësohen të shkojnë në spital është shumë i lartë dhe se shqetësuese është dhe çështja e tamponeve.
"Shifrat e infektimeve dhe viktimave janë shqetësuese për vendin tonë. Numri i qytetarëve të cilët trajtohen në shtëpi është shumë i lartë dhe siç kam pasur mundësi të komunikoj me familjarë të këtyre pacientëve që trajtohen në shtëpi më kanë deklaruar se kanë frikën e të shkuarit në spitale dhe për këtë arsye shprehin dhe shqetësimet madhore, çka bën që mbërritja e tyre në spital të jetë e vonë dhe neglizhenca e të gjitha shenjave dhe problemeve shëndetësore shkon në fatalitet. Mbi 2400 tamponë të kryer në 24 orët e fundit. Kam vënë re se nëse ka pasur një ulje të numrit të të prekurve gjithashtu ka pasur dhe një ulje të testeve të kryera për personat e dyshuar si të prekur me Covid. Kemi pasur raste të ndryshme denoncimesh që në rast se një person rezulton, familjes nuk i është marrë tamponi."- shtoi Celibashi
Rreth diskutimeve se në fillim të dhjetorit mund të ketë një mbyllje të dytë ose shtrëngim të masave për ndalimin e përhapjes së virusit gazetarja e Ora News tha se ende nuk ka diçka zyrtare.