Socialistët kërkesë Ruçit: Komision të Posaçëm për Raportin e Dick Marty-t
Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë për akuzat e Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të UÇK do të administrojë dokumente legale, por edhe të klasifikuara në lidhje me akuzat e Dick Martyt ndaj liderëve të Kosovës.
Një grup prej 18 deputetësh të PS-së kanë zyrtarizuar kërkesën në kuvend për ngritjen e komisionit të posaçëm në lidhje me akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po përballen së fundi me Gjykatën Speciale.
Sipas dokumentit të siguruar nga Ora News, deputetët kërkojnë që komisioni të bëjë administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës e informues në lidhje me verifikimet e kryera nga institucionet shqiptare rreth raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty.
Synimi është zbardhja dhe evidentimi i rolit që pretendohet të kenë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucionet tona nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Shqipërisë.
Komisioni duhet të hartojë një raport të detajuar përmbledhës dhe informues dhe ta prezantojë para kuvendit brenda 3 muajve.
Sipas kërkesës, kuvendit duhet ti vihen në dispozicion dokumente të plota që disponohen nga institucionet publike sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe dokumente të klasifikuara.
Në kërkesë thuhet se në përfundim të punës komisioni duhet të hartojë një projekt-rezolutë në lidhje me çështjet e mësipërme.
Kërkesa e deputetëve argumentohet me mbajtjen e qëndrimeve ndaj rezolutës së miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në datën 25 janar 2011, në lidhje me pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë, sipas pretendimeve të Dick Marty-t.
Deputetët theksojnë se pas kësaj rezolute, Shqipëria përmes institucioneve të saj ka kryer një sërë veprimesh verifikuese në lidhje me pretendimet e Dick Marty-t, ndërsa në vitin 2012 Shqipëria ka miratuar edhe procedurën e bashkëpunimit me autoritetet e EULEX në lidhje me këto akuza.
Kërkesa:
Pak ditë më parë, në një intervistë të tijën, kreu i veteranëve të UÇK-së për zonën e Shqipërisë ka mohuar akuzat se dikur vendi ka strehuar baza të UÇK-së për të keqtrajtuar bashkëpunëtorët e Serbisë.
Pikat në Shqipëri, sipas Xhevdet Thaçit, kanë shërbyer vetëm për ruajtjen e uniformave dhe armatimeve të mundshme.
Fshati Cahan i rrethit të Hasit në Shqipëri pretendohet se dikur ka strehuar kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku keqtrajtoheshin të dyshuarit si bashkëpunëtorë të regjimit serb.
Pretendimet që kanë për burim raportin e Këshillit të Europës të 2011-ës, u përsëritën këtë muaj në Gjykatën Speciale në Hagë ku presin gjykimin ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-bashkëpjesëtarët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Por kryetari i degës së Hasit i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhevdet Thaçi, i mohon akuzat.
Ai ka qenë vetë pjesë e luftës për çlirim dhe tregon se për ta baza ishin vendstrehimet e krijuara para 5 marsit 1998, e në Shqipëri të tilla pika ekzistonin vetëm për arsye logjistike e nuk janë vizituar asnjëherë fizikisht nga ish-presidenti Thaçi apo ish-kryeparlamentari Veseli.