Kryeprokurori kërkon që gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve të mos nisë më vonë se shtatori i 2021-s
Prokuroria e Specializuar e Kosovës e ka quajtur të pamotivuar kërkesën e ish-udhëheqësve të UÇK-së që gjykimi ndaj tyre për krime lufte të nisë pas 2022-it.
Kryeprokurori, Xhek Smith, këmbënguli para Gjykatës Speciale se çështjet penale për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe për deputetin, Rexhep Selimi, duhet të shqyrtohen në verë ose jo më vonë se shtatori i vitit 2021.
Katër të pandehurit kishin sugjeruar javën e kaluar që sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, t'u lihej kohë në dispozicion për t'iu kundërpërgjigjur aktakuzave.
"Kjo dispozitë nuk mund të përdoret si fjalë magjike. Pala mbrojtëse nuk ka mundur ta justifikojë shtyrjen e konsiderueshme të procesit, qoftë më qershor 2022 apo janar 2023, dhe argumentet e tyre nuk i ka ndihmuar as gjuha shpeshherë e panevojshme, emocionale apo personale. Edhe pretendimi se u duhet të përgatiten me vite sepse aq kohë ka marrë akuza për hetimin e rasteve, është një këndvështrim naiv dhe i gabuar," argumentoi kryeprokurori amerikan.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe krime kundër njerëzimit, të kryera midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, në Kukës dhe në Has.
Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, refuzoi edhe kërkesën për lirimin me kusht të Salih Mustafës, një tjetër ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.
Në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, thuhet mes tjerash se "pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe zbulimit të Kosovës, i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësonin përpjekjet për t'u arratisur, për të penguar procedurat përmes ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët apo për të kryer krime të mëtejshme".
Të gjithë të pandehurit i kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë dhe pretendojnë pafajësinë.