Zemërim në shkup për negociatat, Zaev: Vetoja bullgare ishte ‘një surprizë e pakëndshme’

Bllokimi i procesit të integrimit europian të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria është pritur me zemërim në Shkup. Kryeministri Zoran Zaev, ndërsa e quajti veton “një surprizë të pakëndshme” shtoi se ajo është kundër vlerave europiane.

Zemërim i madh në Shkup për tensionet e fundit me Bullgarinë. Bllokimi i negociatave të anëtarësimit shihet nga kryeministri Zoran Zaev si një veprim kundër vlerave europiane.

Duke folur në Shkup në një intervistë për Agjencinë Franceze të Lajmeve, 46-vjeçari e quajti veprimin e fqinjëve që bllokuan me veto javën e kaluar miratimin e kuadrit negociues për Maqedoninë Veriore  "një surprizë të pakëndshme".

Sofja kërkon që maqedonasit të pranojnë se gjuha e tyre i ka rrënjët në bullgarishte. Zavi tha se çdo pretendim për ngrihet për identitetin maqedonas është një vijë e kuqe.

"Kjo është një çështje e vetëvendosjes që qëndron në zemër të projektit europian. Ky është një problem tërësisht absurd,” tha Zaev.

Maqedonia e Veriut është një vend kandidat që prej vitit 2005 dhe rruga për anëtarësim u hap vitin e kaluar pasi Greqia hoqi veton pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës që solli ndryshimin e emrit të vendit.

"Ne treguam se sa besojmë në vlerat europiane. Dhe tani ishte radha e Europës për t’i treguar këto vlera, që në fakt nuk i treguan," tha Zaev.

Në fillim ishte Greqia që bllokoi procesin e integrimit europian dhe më pas Franca, ndërsa tani së fundi është Bullgaria që ngre sërish pretendime historike mbi identitetin e maqedonasve.