Vuçiq: Kosova ishte shqetësimi më i madh i patriarkut Irinej, ka kuptuar të gjitha gabimet që Serbia ka bërë
Mijëra qytetarë dhe shtetarë të Serbisë i bënë homazhet të dielën patriarkut Irinej, kreut të Kishës Ortodokse Serbe, i cili ndërroi jetë pas infektimit me kovidin-19.
Kleriku 90-vjeçar mendohet se e barti virusin në një ceremoni mortore në nder të ish-kolegut të tij që po ashtu vdiq nga koronavirusi, por ku rregullat e nevojshme të sigurisë nuk u respektuan.
Trupi i patriarkut u varros në fundjavë brenda kubesë së kishës, pas tri ditë zie kombëtare.
Ai konsiderohej një klerik i moderuar për çështjet e fesë, por edhe nacionalist kur bëhej fjalë për qëndrimet ndaj shteteve fqinje ndaj të cilave Serbia ka pretendime territoriale.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, theksoi se Kosova ishte shqetësimi i tij më i madh.
"Edhe pse një pjesë të jetës e kaloi në Prizren, u soll në mënyrë racionale dhe me mendje të ftohtë. Kërkonte mënyra për ta mbajtur Kosovën brenda Serbisë, apo së paku që të mos pranohej pavarësia e saj, duke e kuptuar realitetin dhe gjithë gabimet historike që ne, si popull, bëmë."
Patriarku i ri i Kishës Ortodokse Serbe pritet të shpallet në tri muajt e ardhshëm.
Por në fundjavë, kreu i epidemiologëve serbë paralajmëroi se prezenca masive e publikut gjatë ditëve të funeralit të tij ishte e papranueshme në kushtet e një pandemie të rëndë.
Në fundmuajin tetor sëmundja infektive i mori jetën edhe kryepeshkopit Amfilohije të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi.
Nga e shtuna, qeveria serbe ka ndaluar tubimet publike me më shumë se pesë persona ndërsa në Beograd raportohet se po zihen me shpejtësi të gjithë shtretërit e spitaleve.
1,200 qytetarë serbë nuk i kanë mbijetuar dot deri tani pasojave të koronavirusit.