Kryemadhi e qartë: Fronti opozitar është kompakt, pozicioni i LSI i patjetërsueshëm
Kupola e Lëvizjes Socialiste për Integrim e pranon se një nga arsyet e votimit të anëtarësisë të shtunën e kaluar, ishte një testim sesa kjo forcë politike gëzon mbështjetjen e bazës. Madje vetë kryetarja e sapomandatuar për të dytën herë, Monika Kryemadhi e konsideron provë gjenerale.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur fazën e ristrukturimit të saj për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ky proces do të kulmojë me Konventën Kombëtare. Votimet e zhvilluara të shtunën e kaluar sipas Monika Kryemadhit, përveç zgjedhjes se emrave ishte një testim sesa kjo forcë politike gëzon mbështjetjen e bazës.
Kryemadhi: Procesi ishte në një farë mënyrë një provë gjenerale e Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 25 prillit. Fryma që u krijua në këtë proces, jo vetëm që do të mbahet, por do të vijë duke u shtuar çdo ditë e më shumë, përsa i përket strukturave të LSI-së, por mbi të gjitha përsa i përket hartimit dhe organizimit të programit të LSI-së për të vajtur drejt një procesi përfundimtar siç janë zgjedhjet e 25 prillit.
Transparenca, përfshirja dhe ndershmëria e këtij procesi që patëm ditën e shtunë, uroj që të jetë edhe në zgjedhjet e 25 prillit.
Kryetarja e LSI-Së dha një përgjigje edhe për ata që e kritikuan, sepse ajo nuk kishte një rival përballë.
Kryemadhi: Unë do të kisha dëshirë që të kisha një kandidat por nuk do të doja kurrë që kandidati që do të ishte përballë meje të ishte një kukull që të bënte sikur kandidonte sepse nuk mendoj që ne fitojmë duke i depersonalizuar njerëzit.
Por a e ka uruar Ilir Meta, për rikonfirmimin në detyrë. Kryemadhi pyetjen nuk e kaloi pa batutë.
Kryemadhi: Kur kanë ardhur procesverbalet e Skraparit dhe Poliçanit, ka ardhur procesverbali Monika Ramazan Kryemadhi dhe në kllapa Meta.
Opozita ende nuk ka bërë publike se si do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit, por duket se Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vendosur që të udhëheqë një koalicion të dytë opozitar, në tentativë për të maksimalizuar votat.