“ECMO”, Paloka bën denoncimin: Nuk ka asnjë pajisje të tillë në Shqipëri, shpëton jetën e pacientëve të intubuar
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka gjatë një interviste për RTV Ora ka njoftuar se nuk gjendet asnjë pajisje ECMO në spitalet shqiptare.
Sipas Palokës, kjo pajisje që oksigjenon gjakun në trupin e njeriut është shumë e rëndësishme, ndërkohë që ka shtuar se mungesa e saj është një nga arsyet përse shqiptarët zgjedhin të kurohen në Turqi.
Paloka: ECMO është një pajisje që bën oksigjenimin e gjakut jashtë trupit të njeriut. Është si pajisjet e dializës dhe të njëjtin funksion bën ECMO për pastrimin e gjakut. Kjo është vërtetuar që shpëton jetë. Për këtë arsye shumë shqiptarë që kanë mundësi largohen dhe ikin në Turqi.
Nuk ka asnjë pajisje të tillë dhe kushton vetëm 30 mijë euro. Kjo është më e tmerrshmja dhe shpëton jetë. Në momentin që pacienti intubohet është hapi i fundit dhe është fatalitet. Gati 100% e pacientëve të intubuar në Shqipëri shkojnë drejt vdekjes. Pikërisht kjo pajisje shpëton këto pacientë që janë në shkallën e fundit.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Tea Islamaj.