Kapshtica e mbyllur deri më 4 dhjetor, mungesa e informacionit krijon radhë në tokën shqiptare
Nga kjo e premte, lëvizja në rrugë tokësore për njerëzit dhe mallrat drejt apo nga Greqia do të bëhet vetëm permes pikës kufitare të Kakavijës në Gjirokastër. Kapshtica do të qëndrojë e mbyllur të paktën deri më 4 dhjetor, si një masë e qeverisë greke kundër përhapjes së koronavirusit. Por mungesa e informacionit krijoi radhë në tokën shqiptare.
Ora 06:00 e mëngjesit të së premtes shënoi hyrjen në fuqi të vendimit të Greqisë për të mbyllur pikën kufitare të Kapshticës në kufi me Shqipërinë.
Kjo ka bërë që mëngjesin e sotëm të krijohen radhë të gjata të kamionëve të mallrave në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Vendimi i qeverisë greke u bë i njohur në media të enjten, por njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit erdhi më shumë se 2 orë pasi ai kishte hyrë në fuqi.
Disa qytetarë dhe transportues që thonë se nuk ishin të informuar mbetën të bllokuar në tokën shqiptare, ku radha e kamionëve shkoi në disa kilometra.
“Nuk na kanë lajmëruar fare, tani thanë që nuk kalojnë deri në datë 4 dhjetor. Tani do presim çfarë do të na thonë. Kjo na pengon shumë, ne nuk marrim rrogë. Nuk e dimë si bëhen këto punë”.
Sipas vendimit të qeverisë greke, deri më 4 dhjetor, Kakavija do të jetë e vetmja pikë kufitare nga e cila do të bëhet lëvizja në rrugë tokësore.
Për transportuesit e mallrave dhe qytetarët kjo do të thotë kosto e shtuar.
Mbyllja e Kapshticës nuk pati ndikim të menjëhershëm në shtimin e fluksit në Kakavijë, ku pavarësisht se do të mbetet pika e vetme e lëvizjes mes dy vendeve, numri i personave që do të kalojnë kufirin do të jetë 750.
Udhëtarët duhet të kenë me vete testin e PCR negativ jo më vonë se 72 orë, ndërkohë që autoritetet greke dje njoftuan se do ti nënshtrohen edhe një testi të shpejtë.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se Qeveria greke ka njoftuar në lidhje me kufizimet e hyrjes në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësit Qeveritar, Stelios Petsas.
Konkretisht, duke filluar nga dita e nesërme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavi. Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.
Më tej, qytetarët që hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë. Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë.
Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrore mbeten të hapur.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës
