Veton Surroi: Dialogu Prishtinë - Beograd nisi mbrapsht e do përfundojë i tillë, Kosova drejt zgjedhjeve

Gjykimi në Gjykatën Speciale të Hagës, i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka gjasa të nisë në 2022 ndërsa procesi i tij pritet të zgjatet 10- 18 muaj.

Por çfarë do të ndodhë me Kosovën? Gazetarja e RTV Ora, Beti Njuma pati mbrëmjen e sotme një lidhje me skype me analistin e njohur nga Prishtina Veton Surroi.

RTV Ora: Çfarë mendon Veton Surroi për procesin që ka nisur në Hagë, çfarë ndikimi do të ketë kjo sagë gjyqësore 22 vite pas luftës?

Veton Surroi per RTV Ora: Duhet ndarë efekti juridik prej atij politik.

Kemi të bëjmë me një proces gjyqësor. Prokuroria duhet të dëshmojë nëse ka pasur ndërmarrje kriminale, ndërsa të akuzuarit kanë të drejtë të mbrohen e dëshmojnë se nuk kanë qenë pjesë e saj.

Duhet hequr mënjanë çështja juridike që të mos krijohet një efekt tifozerie dhe një diskurs që e politizon çështjen. Për nga natyra Gjykata është themeluar në një konteskt politik dhe ne duhet të meremi me kontekstin politik.

Janë dy efekte që do të krijohen

Efekti i parë: Diskursi i ballafaqimit me të kaluarën. Në 2- 3 vitet e këtij procesi do të hapen çështje të luftës që kanë të bëjnë me konfliktin e brendshëm politik shqiptar dhe trajtimin e minoriteteve të cialt nuk janë pjesë e rrëfimit kryesore  të luftës.

Njëzet vite më pas krijohet një kontekst thuajse kur e gjithë lufta në Kosovë ka qenë e ndërlidhur me këto akuza, por në fakt këto mund të jenë pjesë të luftës por kanë qenë pothuajse pjesë periferike.

Pjesa kryesore ka qenë lufta që ka bërë Serbia kundër qytetarëve të Kosovës duke përndjekur qytetarët shqiptarë duke krijuar numrin më të madh të viktimave civilë.

Efekti i dytë politik: Ka të bëjë me balancin që po krijojet mes Serbisë dhe krimeve që ka bërë ajo dhe krimeve të pretenduara nga kjo gjykatë.

Ajo që është e qartë është se Serbia është gjykuar në Hagë në 2009, (me gjykimin i Shahinoviçit dhe gjeneralëve serbë) dhe është saktësuar se ka qenë ndërmarrje kriminale e shtetit për përndjekjen e popullatës shqiptare në mënyrë që Serbia të mbajë nën kontroll Kosovë. Kjo është vërtetuar dhe në gjykatën e dytë.

Çfarë do të ndodhë me dialogun?

Veton Surroi per RTV Ora: Dialogu është ndërprerë prej kohësh në fakt. Është një proces negociator që ka nisur mbrapsht, ka vijuar mbrapsht dhe do të përfundojë mbrapsht.

Ka filluar mbrapsht se nisi pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Pavarësia e Kosovës nuk kundështon të drejtën ndërkombëtare. Në vend që të negociohej mbi këtë bazë dhe mbi bazën e gjykimit të Shahinoviçit që është vërtetuar se veprimi ka qenë një ndërmarrje kriminale, prej 10 vitesh elitat politike në Kosovë me mungesë vizioni, kanë hyrë në një proces negociator për rirregullimin e marrëdhënieve të brendshme juridike kushtetuese në Kosovë dhe si produkt kemi pasur autonominë serbe në formën e bashkisë së komunave serbe, në 2013 dhe 2015. Prej 2017 kemi pasur negociata që janë zhvilluar për këmbimin territorial dhe copëtimin e territorit të Kosovës.

Duhet vendosur një proces negociator që ka parasysh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Pavarësia e Kosovës është brenda së drejtës ndërkombëtare.

Së dytë ekziston një pasojë jurudike që duhet ta mbajë Serbia për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Është shumë e qartë që shteti i Serbisë ka marrë kufomat që i ka vrarë në Kosovë dhe i ka transportuar në Serbi dhe i ka varrosur në varreza masive. Kjo është një ndërmarrje që nuk është produkt i dy tre njerëzve të veçuar por veprim i një sistemi të organizuar shtetëror.

Çfarë do të ndodhë tani me Kosovën?

Veton Surroi për RTV Ora: Është shumë e qartë se nuk ekziston një legjitimitet i mjaftueshëm politik në Kosovë. Kemi një qeveri që nuk ka forcë dhe përkrahje të mjaftueshme politike.

Ekzistojnë dy forma si arrihet një rilegjitim politik

E para: nëse zgjerohet koalicioni i tanishëm në pushtet
E dyta: Vendi shkon në zgjedhje dhe kërkon legjitimitet të ri nga qytetarët

Të dy variantet janë të mundshme por unë mendoj se do afrohet shpejt moment kur partitë politike do të afrojnë më shumë nga kërkesa për rilegjitimim përmes zgjedhjeve.

RTV Ora: Me Biden president të ri  në SHBA,  a mendoni se do ndryshojë dicka në qasjen ndaj Kosovës dhe çfarë do të bëhet me marrëveshjen e firmosur në prani të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë

Veton Surroi per RTV Ora: Është një lajm shumë i mirë zgjedhja e presidentit Biden në SHBA. Kemi të bëjmë me një president që e njeh Kosovën dhe rajonin në tërësi. Është shumë mirë se kemi të bëjmë me një president që respekton marrëdhëniet transatlantike, që Kosova është produkt.

Kemi të bëjmë me një president që beson thellësisht se SHBA dhe Europa duhet të gjejnë zgjidhje për integrimin e Ballkanit Perëndimor brenda një Europe demokratike. Dhe këto janë lajme të mira.

Ajo çfarë mund të jetë pozitive nga shkuarja në Washington do të vazhdojë më tutje. Mund të jetë ndonjë kontribut në infrastrukturë. Struktura e marrëveshjes së Washingonit – fillimisht nuk është marrëveshje por zotime të njënashme të Kosovës dhe Serbisë - është e atillë që nuk  ka të bëjë shumë me zgjidhjen e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe do të kërkohet një kornizë shumë më serioze dhe e avancuar e më e mençur se ajo që është bërë në Washington.